Ezra 6
6
Urdhëresa e Darit
1Atëherë mbreti Dar nxori një urdhëresë që të bëheshin kërkime në arkivat ku gjendeshin thesaret e Babilonisë. 2Në fortesën e Ekbatanës, në krahinën e Medës, u gjet një rrotull, në të cilën ishte shkruar ky shënim: 3«Në vitin e parë të mbretërimit të Kirit, mbreti Kir nxori këtë vendim në lidhje me tempullin e Perëndisë në Jerusalem: le të ndërtohet tempulli, vendi ku kushtohen fli, në themelet e veta. Lartësia e tempullit të jetë tridhjetë metra dhe gjerësia tridhjetë metra. 4Për çdo tre radhë gurësh të mëdhenj, të ketë një radhë me dru. Shpenzimet le të paguhen nga pallati mbretëror. 5Për më tepër, enët prej ari dhe argjendi të tempullit të Perëndisë, që Nabukodonosori mori në Babiloni prej tempullit të Jerusalemit, të kthehen sërish në vendin e tyre, në shenjtëroren e Jerusalemit, dhe të vendosen në tempullin e Perëndisë».
6«Tani, pra, ti, o Tatenai, qeveritar i krahinës përtej lumit, o Shetar Boznai, ju bashkëpunëtorë e zyrtarë të krahinës përtej lumit, rrini larg atij vendi 7e mos i pengoni punimet e këtij tempulli të Perëndisë. Lëreni prijësin e judenjve dhe pleqësinë e tyre ta ndërtojnë këtë tempull në vendin e vet. 8Po lëshoj edhe një urdhëresë lidhur me çfarë duhet të bëni për pleqësinë e judenjve, që po ndërtojnë këtë tempull të Perëndisë: të ardhurat, që mblidhen nga tatimet për mbretin në krahinën përtej lumit, t'u jepen atyre pa vonesë, që të mos ndërpritet puna. 9Çdo gjë që mund t'u duhet për flinë e shkrumbimit për Perëndinë e qiellit, dema, desh e qengja, si edhe miell, kripë, verë e vaj, sipas kërkesës së priftërinjve të Jerusalemit, t'u jepen çdo ditë pa i lënë pas dore, 10në mënyrë që t'i kushtohen fli të këndshme Perëndisë së qiellit dhe lutje për jetën e mbretit dhe të bijve të tij. 11Po jap edhe këtë urdhër: kush e shkel këtë urdhëresë, të hiqet nga shtëpia e tij një tra, ai të varet në të dhe shtëpia t'i kthehet në vend plehrash. 12E Perëndia, që e ka vënë emrin e vet të banojë aty, shkatërroftë çdo mbret e popull që do ta shtrijë dorën për të dhunuar apo shkatërruar këtë tempull të Perëndisë në Jerusalem. Këtë urdhëresë e lëshova unë, Dari. Le të zbatohet me përpikëri».
Përfundimi i tempullit
13Atëherë Tatenai, qeveritari krahinës përtej lumit, Shetar Boznai dhe bashkëpunëtorët e tyre vepruan siç i kishte urdhëruar mbreti Dar. 14Pleqtë e judenjve vijuan punimet dhe përparuan të shtyrë edhe nga profecitë e profetit Haga dhe të profetit Zakari, birit të Idoit. Ata i përfunduan ndërtimet sipas urdhrit të Perëndisë së Izraelit dhe sipas urdhrit të Kirit, Darit dhe Artakserksit, mbretërve të Persisë. 15Tempulli përfundoi në ditën e tretë, të muajit Adar, që ishte viti i gjashtë i mbretërimit të Darit.
16Bijtë e Izraelit, priftërinjtë, levitët dhe gjithë të kthyerit e tjerë prej robërisë bënë kushtimin e tempullit të Perëndisë tërë gëzim. 17Për kushtimin e tempullit ata kushtuan njëqind dema, dyqind desh, katërqind qengja dhe dymbëdhjetë cjep si fli mëkati për mbarë Izraelin, sipas numrit të fiseve të Izraelit. 18Mandej caktuan priftërinj, sipas rendit të tyre, dhe levitë, sipas rendit të tyre, për shërbesën e Perëndisë së Jerusalemit, siç është shkruar në librin e Moisiut.
Kremtimi i Pashkës
19Të kthyerit prej robërisë kremtuan Pashkën në ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë. 20Priftërinjtë ishin pastruar bashkë me levitët dhe të gjithë ishin të pastër. Ata therën flinë e Pashkës për të gjithë të kthyerit nga robëria, për vëllezërit e tyre priftërinj e për vete. 21Izraelitët e kthyer nga robëria hëngrën Pashkën bashkë me të gjithë ata që kishin hequr dorë nga papastërtia e kombeve të vendit, për të kërkuar Zotin, Perëndinë e Izraelit. 22Mandej kremtuan për shtatë ditë të kremten e Bukëve të ndorme, sepse Zoti i kishte mbushur me gëzim, duke e prirë zemrën e mbretit të Asirisë në të mirë të tyre, që ai t'i ndihmonte për ndërtimin e tempullit të Perëndisë, Perëndisë së Izraelit.
Aktualisht i përzgjedhur:
Ezra 6: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020