Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ezra 6:1-12

Ezra 6:1-12 AL1

Atëherë mbreti Dar nxori një urdhëresë që të bëheshin kërkime në arkivat ku gjendeshin thesaret e Babilonisë. Në fortesën e Ekbatanës, në krahinën e Medës, u gjet një rrotull, në të cilën ishte shkruar ky shënim: «Në vitin e parë të mbretërimit të Kirit, mbreti Kir nxori këtë vendim në lidhje me tempullin e Perëndisë në Jerusalem: le të ndërtohet tempulli, vendi ku kushtohen fli, në themelet e veta. Lartësia e tempullit të jetë tridhjetë metra dhe gjerësia tridhjetë metra. Për çdo tre radhë gurësh të mëdhenj, të ketë një radhë me dru. Shpenzimet le të paguhen nga pallati mbretëror. Për më tepër, enët prej ari dhe argjendi të tempullit të Perëndisë, që Nabukodonosori mori në Babiloni prej tempullit të Jerusalemit, të kthehen sërish në vendin e tyre, në shenjtëroren e Jerusalemit, dhe të vendosen në tempullin e Perëndisë». «Tani, pra, ti, o Tatenai, qeveritar i krahinës përtej lumit, o Shetar Boznai, ju bashkëpunëtorë e zyrtarë të krahinës përtej lumit, rrini larg atij vendi e mos i pengoni punimet e këtij tempulli të Perëndisë. Lëreni prijësin e judenjve dhe pleqësinë e tyre ta ndërtojnë këtë tempull në vendin e vet. Po lëshoj edhe një urdhëresë lidhur me çfarë duhet të bëni për pleqësinë e judenjve, që po ndërtojnë këtë tempull të Perëndisë: të ardhurat, që mblidhen nga tatimet për mbretin në krahinën përtej lumit, t'u jepen atyre pa vonesë, që të mos ndërpritet puna. Çdo gjë që mund t'u duhet për flinë e shkrumbimit për Perëndinë e qiellit, dema, desh e qengja, si edhe miell, kripë, verë e vaj, sipas kërkesës së priftërinjve të Jerusalemit, t'u jepen çdo ditë pa i lënë pas dore, në mënyrë që t'i kushtohen fli të këndshme Perëndisë së qiellit dhe lutje për jetën e mbretit dhe të bijve të tij. Po jap edhe këtë urdhër: kush e shkel këtë urdhëresë, të hiqet nga shtëpia e tij një tra, ai të varet në të dhe shtëpia t'i kthehet në vend plehrash. E Perëndia, që e ka vënë emrin e vet të banojë aty, shkatërroftë çdo mbret e popull që do ta shtrijë dorën për të dhunuar apo shkatërruar këtë tempull të Perëndisë në Jerusalem. Këtë urdhëresë e lëshova unë, Dari. Le të zbatohet me përpikëri».