Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Esdra 6:1-12

Esdra 6:1-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Atëherë mbreti Dar nxori një urdhëresë që të bëheshin kërkime në arkivat ku gjendeshin thesaret e Babilonisë. Në fortesën e Ekbatanës, në krahinën e Medës, u gjet një rrotull, në të cilën ishte shkruar ky shënim: «Në vitin e parë të mbretërimit të Kirit, mbreti Kir nxori këtë vendim në lidhje me tempullin e Perëndisë në Jerusalem: le të ndërtohet tempulli, vendi ku kushtohen fli, në themelet e veta. Lartësia e tempullit të jetë tridhjetë metra dhe gjerësia tridhjetë metra. Për çdo tre radhë gurësh të mëdhenj, të ketë një radhë me dru. Shpenzimet le të paguhen nga pallati mbretëror. Për më tepër, enët prej ari dhe argjendi të tempullit të Perëndisë, që Nabukodonosori mori në Babiloni prej tempullit të Jerusalemit, të kthehen sërish në vendin e tyre, në shenjtëroren e Jerusalemit, dhe të vendosen në tempullin e Perëndisë». «Tani, pra, ti, o Tatenai, qeveritar i krahinës përtej lumit, o Shetar Boznai, ju bashkëpunëtorë e zyrtarë të krahinës përtej lumit, rrini larg atij vendi e mos i pengoni punimet e këtij tempulli të Perëndisë. Lëreni prijësin e judenjve dhe pleqësinë e tyre ta ndërtojnë këtë tempull në vendin e vet. Po lëshoj edhe një urdhëresë lidhur me çfarë duhet të bëni për pleqësinë e judenjve, që po ndërtojnë këtë tempull të Perëndisë: të ardhurat, që mblidhen nga tatimet për mbretin në krahinën përtej lumit, t'u jepen atyre pa vonesë, që të mos ndërpritet puna. Çdo gjë që mund t'u duhet për flinë e shkrumbimit për Perëndinë e qiellit, dema, desh e qengja, si edhe miell, kripë, verë e vaj, sipas kërkesës së priftërinjve të Jerusalemit, t'u jepen çdo ditë pa i lënë pas dore, në mënyrë që t'i kushtohen fli të këndshme Perëndisë së qiellit dhe lutje për jetën e mbretit dhe të bijve të tij. Po jap edhe këtë urdhër: kush e shkel këtë urdhëresë, të hiqet nga shtëpia e tij një tra, ai të varet në të dhe shtëpia t'i kthehet në vend plehrash. E Perëndia, që e ka vënë emrin e vet të banojë aty, shkatërroftë çdo mbret e popull që do ta shtrijë dorën për të dhunuar apo shkatërruar këtë tempull të Perëndisë në Jerusalem. Këtë urdhëresë e lëshova unë, Dari. Le të zbatohet me përpikëri».

Esdra 6:1-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë mbreti Dar urdhëroi që të bëheshin kërkime në shtëpinë e arkivave ku ruheshin thesaret në Babiloni; dhe në Ahmetha, në kështjellën që është në provincën e Medisë, u gjet një rrotull, dhe në të një dokument të shkruar kështu: "Në vitin e parë të mbretit Kir, mbreti Kir u shpall një urdhëresë lidhur me shtëpinë e Perëndisë në Jeruzalem: "Të rindërtohet tempulli, vendi ku ofrohen flijime. Të hidhen mirë themelet e tij. Të ketë një lartësi prej gjashtëdhjetë kubitësh dhe një gjerësi prej gjashtëdhjetë kubitësh, me tri radhë gurësh të mëdhenj dhe një radhë lëndë të re druri; dhe shpenzimet të paguhen nga pallati mbretëror. Përveç kësaj, veglat prej ari dhe prej argjendi të shtëpisë së Perëndisë, që Nebukadnetsari ka hequr nga tempulli që është në Jeruzalem dhe i ka çuar në Babiloni, të rikthehen dhe të çohen në tempullin që është në Jeruzalem; dhe secila të vihet në vendin e vet në shtëpinë e Perëndisë". Tani, pra, Tatenai, qeveritar i krahinës matanë Lumit, Shethar-Boznai dhe kolegët tuaj, afarsekitët, që ndodhen matanë Lumit, rrini larg këtij vendi! Lini që të vazhdojë puna për këtë shtëpi të Perëndisë; qeveritari i judenjve dhe pleqtë e judenjve ta rindërtojnë këtë shtëpi të Perëndisë në vendin e saj. Përveç kësaj po lëshoj një urdhër për atë që duhet të bëni për pleqtë e judenjve në rindërtimin e kësaj shtëpie të Perëndisë; këtyre njerëzve t'u paguhen tërë shpenzimet nga të ardhurat e mbretit që vijnë nga taksat e mbledhura matanë Lumit, me qëllim që punimet të mos ndërpriten. Gjërat e nevojshme për holokaustet e Perëndisë së qiellit: demat, deshtë, qengjat, bashkë me grurin, kripën, verën, vajin, duhet të dorëzohen çdo ditë, pa u lënë gjë mangët kërkesave të priftërinjve që janë në Jeruzalem, me qëllim që t'i ofrojnë flijime me erë të këndshme Perëndisë së qiellit dhe të luten për jetën e mbretit dhe të bijve të tij. Kam dhënë gjithashtu urdhër që në qoftë se dikush e shtrembëron këtë dekret, t'i hiqet një tra shtëpisë së tij, të ngrihet dhe ai të varet tek ai; dhe shtëpia e tij të katandiset në një plehërishte për shkak të veprimit të tij. Perëndia që e ka bërë emrin e tij të banojë atje shkatërroftë çdo mbret dhe çdo popull që guxon të shtrijë dorën e tij për ta ndryshuar këtë ose për të shkatërruar shtëpinë e Perëndisë që është në Jeruzalem! Unë, Dari, e kam nxjerrë këtë dekret; të zbatohet me përpikmëri".