Ezra 3
3
Përtëritja e flisë
1Kur erdhi muaji i shtatë, bijtë e Izraelit ishin vendosur tashmë nëpër qytete. Atëherë populli u mblodh bashkë si një trup i vetëm në Jerusalem. 2Atëherë u ngrit Jozuehu, biri i Jocadakut, bashkë me vëllezërit e tij priftërinj, me Zorobabelin, birin e Shealtielit, e me vëllezërit e tij, dhe ndërtuan altarin e Perëndisë së Izraelit, për të kushtuar mbi të flinë e shkrumbimit, siç është shkruar në ligjin e Moisiut, njeriut të Perëndisë. 3E vendosën altarin mbi themelet e tij, ndonëse kishin frikë nga popujt që banonin në ato toka, dhe mbi të i kushtuan Zotit fli shkrumbimi në mëngjes e në mbrëmje. 4Kremtuan edhe festën e Kasolleve, ashtu siç është shkruar, dhe kushtuan çdo ditë fli shkrumbimi, sipas numrit të caktuar për çdo ditë, 5e mandej edhe flinë e përhershme të shkrumbimit, flinë për hënat e reja dhe për të kremtet e caktuara të Zotit, si edhe flitë vullnetare që i kushtoheshin Zotit. 6Filluan t'i kushtojnë Zotit flinë e shkrumbimit që prej ditës së parë të muajit të shtatë, ndonëse themelet e tempullit të Zotit nuk ishin hedhur ende. 7Ata u dhanë edhe para gurgdhendësve dhe marangozëve, si dhe ushqime, pije e vaj sidonasve dhe tirasve, që të sillnin dru cedri nga Libani në Jopë, përmes detit, sipas lejes që kishin marrë nga Kiri, mbreti i Persisë.
Hedhja e themeleve
8Dy vjet pasi kishin ardhur në tempullin e Perëndisë në Jerusalem, në muajin e dytë, Zorobabeli, biri i Shealtielit, Jozuehu, biri i Jocadakut, bashkë me vëllezërit e tjerë, priftërinj e levitë, dhe me të gjithë ata që ishin kthyer në Jerusalem prej robërisë, filluan punimet dhe për drejtimin e punimeve të tempullit të Zotit, ngarkuan levitët nga mosha njëzet vjeç e lart. 9Kështu, Jozuehu me bijtë dhe me vëllezërit e tij, Kadmieli dhe bijtë e tij, si edhe bijtë e Judës, morën përsipër së bashku mbikëqyrjen e punimeve të tempullit të Perëndisë. Të njëjtën gjë bënë edhe bijtë e Henadadit, si edhe bijtë dhe vëllezërit e tyre, levitët. 10Kur ndërtuesit hodhën themelet e shenjtërores së Zotit, u caktuan priftërinj veshur me stolitë e tyre e me bori, si edhe levitë, pasardhës të Asafit, me cimbale, që të përlëvdonin Zotin, sipas udhëzimeve të Davidit, mbretit të Izraelit. 11I këndonin Zotit himne falënderimi e thoshin: «I mirë është Zoti, se mirësia e tij ndaj Izraelit mbetet përjetë». Mbarë populli brohoriste me ngazëllim dhe përlëvdonte Zotin për hedhjen e themeleve të tempullit të Zotit. 12Shumë prej priftërinjve, levitëve e kryefamiljarëve të moshuar, që e kishin parë tempullin e mëparshëm me sytë e tyre, qanin me zë të lartë teksa hidheshin themelet e këtij tempulli, ndërsa të tjerë brohoritnin fort nga gëzimi. 13Askush s'ishte në gjendje ta dallonte britmën e brohoritjes së gëzimit prej qarjes së popullit, sepse populli brohoriste me zë të lartë dhe britma dëgjohej nga larg.
Aktualisht i përzgjedhur:
Ezra 3: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020