Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ezekieli 43

43
Kthimi i lavdisë së Zotit
1Pastaj më çoi te porta, te porta me pamje nga lindja. 2Dhe, ja, lavdia e Perëndisë së Izraelit vinte nga udha e lindjes. Ushtima e ardhjes së tij ishte si ushtima e ujërave të mëdha dhe toka shkëlqente prej lavdisë së tij. 3Pashë si në vegim diçka të ngjashme me çfarë kisha parë kur ai kishte ardhur për ta shkatërruar qytetin dhe si vegimi që kisha parë te lumi Kebar. Atëherë rashë përmbys. 4Lavdia e Zotit hyri në tempull përmes portës me pamje nga lindja. 5Shpirti më mbarti, më futi në tremen e brendshme dhe, ja, lavdia e Zotit e kishte mbushur tempullin.
6Atëherë dëgjova dikë që më fliste nga tempulli, një njeri që qëndronte pranë meje, 7i cili më tha: «Bir i njeriut, ky është vendi i fronit tim dhe vendi i shputave të këmbëve të mia, ku do të banoj në mes të bijve të Izraelit përgjithmonë. Nuk do ta përdhosin më emrin tim të shenjtë as shtëpia e Izraelit, as mbretërit e tyre, me kurvëri, me kufomat e mbretërve të tyre dhe me faltoret në vende të larta, 8duke e vënë pragun e tyre te pragu im dhe shtalkat e tyre pranë shtalkave të mia, me një mur mes meje e tyre. E kanë përdhosur emrin tim të shenjtë me pështirësitë që kanë bërë, prandaj edhe i përpiu zemërimi im. 9Por tani do t'i flakin larg meje kurvërinë dhe kufomat e mbretërve të tyre dhe unë do të banoj mes tyre përgjithmonë.
10Ti, bir i njeriut, tregoja shtëpisë së Izraelit këtë tempull, që ata të kenë turp nga fajësitë e veta. Pastaj ata do të bëjnë matjet. 11Nëse u vjen turp për gjithçka kanë bërë, tregoju trajtën e tempullit, përbërjen e tij, daljet, hyrjet dhe të gjithë trajtën e tij. Tregoju edhe të gjitha rregullat, të gjitha trajtat, të gjitha ligjet e tij dhe shkruaji para syve të tyre, që t'i mbajnë tërë ligjet e tij e tërë rregullat e tij dhe t'i zbatojnë ato. 12Ky është ligji i tempullit: në majë të malit, mbarë trualli që e rrethon është tejet i shenjtë. Ja, ky është ligji i tempullit».
Altari
13Këto janë përmasat e altarit në kute, ku kuti është një kut e një pëllëmbë. Baza duhet të jetë një kut e lartë e një kut e gjerë. Buza në zgrip rreth tij duhet të jetë një pëllëmbë. Kjo duhet të jetë lartësia e altarit. 14Nga baza përdhe deri te korniza e poshtme dy kute me një kute gjerësi. Nga korniza e vogël te korniza e madhe katër kute me një kut gjerësi. 15Vatra duhet të jetë katër kute dhe mbi vatër duhen ngritur katër brirë. 16Vatra duhet të jetë katrore, dymbëdhjetë kute gjatësi me dymbëdhjetë kute gjerësi. 17Korniza duhet të jetë katërmbëdhjetë kute e gjatë e katërmbëdhjetë kute e gjerë. Buza përreth duhet të jetë një gjysmë kuti dhe baza përreth një kut. Shkallët e altarit duhet të jenë me pamje nga lindja.
18Pastaj më tha: «Bir i njeriut, kështu thotë Zoti im, Zoti: këto janë rregullat e altarit, kur të ndërtohet për të kushtuar mbi të fli shkrumbimi dhe për të stërpikur gjak në të. 19Do t'u japësh një mëzat për flinë e mëkatit priftërinjve levitë, të fisit të Cadokut, që do të afrohen tek unë për të më shërbyer, kumton Zoti im, Zoti. 20Do të marrësh prej atij gjaku e do të stërpikësh katër brirët e altarit, katër qoshet e kornizës dhe buzët përreth. Kështu do ta pastrosh e do ta shlyesh. 21Do të marrësh edhe mëzatin e flisë për mëkatet e ai do të digjet në vendin e caktuar të tempullit, përjashta shenjtërores. 22Ditën e dytë do të kushtosh një cjap të patëmetë si fli mëkati. Atëherë altari do të pastrohet siç ishte pastruar nga mëkati me anë të mëzatit. 23Pasi të kryesh pastrimin e tij do të kushtosh një mëzat të patëmetë prej tufës dhe një dash të patëmetë prej grigjës. 24Ti do t'i kushtosh para Zotit, ndërsa priftërinjtë do t'i kripin e do t'ia kushtojnë Zotit si fli shkrumbimi. 25Për shtatë ditë do të kushtosh nga një cjap si fli mëkati. Do të kushtohet edhe nga një mëzat e nga një dash i patëmetë prej grigjës. 26Për shtatë ditë duhet ta kryejnë shlyerjen e altarit. Pastaj do ta pastrojnë e do ta shugurojnë. 27Pasi të kalojnë këto ditë, nga dita e tetë, priftërinjtë do të kushtojnë mbi altar flitë tuaja të shkrumbimit dhe flitë e paqtimit. Atëherë unë do t'ju përkrah, kumton Zoti im, Zoti».

Aktualisht i përzgjedhur:

Ezekieli 43: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë