Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ezekieli 41

41
Shenjtërorja
1Pastaj më futi në anijatë dhe mati shtyllat. Gjerësia e shtyllave ishte gjashtë kute nga secila anë. 2Gjerësia e hyrjes ishte dhjetë kute, ndërsa pjesët anësore të hyrjes ishin secila nga pesë kute. Pastaj mati nefin. Ishte dyzet kute i gjatë e njëzet kute i gjerë. 3Hyri brenda dhe mati shtyllat e hyrjes. Ishin dy kute, ndërsa hyrja ishte gjashtë kute. Gjerësia e hyrjes ishte shtatë kute. 4Mati gjatësinë dhe ishte njëzet kute. Gjerësia ishte njëzet kute, kundruall anijatës. Atëherë më tha: «Kjo është shenjtërorja e shenjtëroreve».
5Pastaj mati murin e tempullit. Ishte gjashtë kute. Gjerësia e dhomës anësore ishte katër kute rreth e rrotull tempullit. 6Dhomat anësore ishin njëra mbi tjetrën, tri radhë me nga tridhjetë. Rrëzë murit të tempullit kishte një kalim për dhomat përreth, që të ishin të lidhura me njëra-tjetrën, por jo me murin e tempullit. 7Duke u ngjitur dhomave anësore ai zgjerohej, sepse tempulli ishte i rrethuar gjer në lartësi. Tempulli kishte një hapësirë sipër, prandaj mund të ngjiteshe nga poshtë lart përmes katit të mesëm. 8Pashë se rreth tempullit kishte një stom. Themelet e dhomave anësore ishin plot një kallam gjashtë kutesh. 9Trashësia e murit të jashtëm të dhomave anësore ishte pesë kute. Hapësira ndërmjet dhomave anësore të tempullit 10dhe dhomave të tjera ishte njëzet kute e gjerë rreth e rrotull tempullit. 11Hyrjet e dhomës anësore ishin nga ana e lirë. Njëra hyrje ishte drejt veriut dhe tjetra drejt jugut. Hapësira e lirë ishte pesë kute nga të gjitha anët.
12Ndërtesa kundruall hapësirës së lirë nga ana perëndimore ishte shtatëdhjetë kute e gjerë. Muri i ndërtesës rreth e rrotull ishte pesë kute i trashë e nëntëdhjetë kute i gjatë.
13Pastaj mati tempullin. Gjatësia ishte njëqind kute. Edhe hapësira e lirë, ndërtesa dhe muret ishin njëqind kute. 14Gjerësia e pamjes ballore të tempullit me hapësirën e lirë nga lindja ishte njëqind kute.
15Pastaj mati gjatësinë e ndërtesës kundruall hapësirës së lirë nga ana e pasme, me nënkalimet anekënd. Ishte njëqind kute.
Pjesa e brendshme e anijatës, portiku i tremes, 16pragjet, dritaret e mbrojtura dhe nënkalimet përreth të treve, kundruall pragut, ishin veshur me dru nga të gjitha anët, nga shtroja deri te dritaret, që ishin të mbuluara. 17Deri përmbi hyrje, deri brenda tempullit, nga përjashta dhe përgjatë tërë murit përreth, brenda dhe jashtë ishin bërë matjet 18për të punuar kerubë e palma. Ndërmjet kerubëve kishte nga një palmë. Secili kerub kishte dy pamje: 19një pamje njeriu në drejtim të palmës nga njëra anë dhe një pamje luanthi në drejtim të palmës nga ana tjetër. Ata ishin punuar nga të gjitha anët përreth tempullit. 20Nga shtroja deri sipër hyrjes ishin punuar kerubë e palma në muret e tempullit.
21Shtalkat e anijatës ishin katrore. Kundruall shenjtërores dukej diçka me pamjen 22e një altari prej druri, tre kute i lartë, dy kute i gjatë dhe dy kute i gjerë. Këndet, bazën dhe muret i kishte prej druri. Ai më tha: «Kjo është tryeza që rri para Zotit». 23Anijata dhe shenjtërorja kishin nga dy dyer. 24Të dyja dyert kishin nga dy flegra që rrotulloheshin. Dy për njërën derë e dy për tjetrën. 25Mbi dyer kishin punuar kerubë e palma, siç i kishin punuar në mure. Kundruall portikut, përjashta, gjendej një prag druri. 26Nga të dyja anët përgjatë portikut, te dhomat anësore të tempullit dhe te pragu kishte dritare të mbrojtura dhe palma.

Aktualisht i përzgjedhur:

Ezekieli 41: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr