Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ezekieli 3

3
1Pastaj më tha: «Bir njeriu, ha çfarë të gjesh, haje këtë rrotull dhe shko e foli shtëpisë së Izraelit». 2Atëherë hapa gojën e ai më dha të haja atë rrotull. 3Pastaj më tha: «Bir njeriu, ushqeje barkun me këtë rrotull që unë po të jap e mbushi zorrët». Unë e hëngra dhe në gojë m'u bë e ëmbël porsi mjalti. 4Pastaj më tha: «Bir njeriu, shko te shtëpia e Izraelit e folu me fjalët e mia, 5se nuk u dërgove te një popull fjalëhollë e gjuhërëndë, por te shtëpia e Izraelit 6e jo te popujt e shumtë fjalëhollë e gjuhërëndë, fjalët e të cilëve nuk mund t'i kuptosh. Po të të kisha dërguar tek ata, do të të kishin dëgjuar, 7por shtëpia e Izraelit nuk dëshiron të të dëgjojë, se ata nuk dëshirojnë të më dëgjojnë mua, sepse mbarë shtëpia e Izraelit e ka ballin të ashpër e zemrën të ngurtë. 8Ja, unë po ta bëj fytyrën të ashpër, si fytyrat e tyre, dhe ballin të ashpër, si ballin e tyre. 9Si diamantin, më të fortë se strallin e bëra ballin tënd. Mos ki frikë prej tyre e mos u tremb prej tyre, se janë fis kryeneç». 10Pastaj më tha: «Bir njeriu, të gjitha fjalët që po t'i them, merri për zemër e vëru vesh. 11Shko te të shpërngulurit, te bijtë e popullit tënd, e folu. Thuaju: “Kështu thotë Zoti im, Zoti”, si në të dëgjofshin, si në mos të dëgjofshin».
12Atëherë një shpirt më ngriti dhe dëgjova mbrapa meje ushtimën e një dridhjeje të fortë: «Bekuar qoftë lavdia e Zotit atje ku e ka vendin!». 13Ishte ushtima e krahëve të gjallesave që përplaseshin me njëri-tjetrin, ushtima e rrotave pranë tyre dhe ushtima e dridhjes së madhe. 14Një shpirt më ngriti e më rrëmbeu. Unë shkova i hidhëruar e me shpirt të zemëruar, se dora e Zotit u bë e ashpër mbi mua. 15Mbërrita te të shpërngulurit e Telavivit që banojnë pranë lumit Kebar, ku janë ngulur, dhe ndenja aty shtatë ditë i trullosur mes tyre.
Rojtari i Izraelit
16Pas shtatë ditësh, fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: 17«Bir i njeriut, të kam caktuar rojtar për shtëpinë e Izraelit. Sapo të dëgjosh ndonjë fjalë nga goja ime, do t'i paralajmërosh nga ana ime. 18Nëse i them të paudhit: “Do të vdesësh”, por ti nuk e paralajmëron e nuk flet, që ta paralajmërosh të paudhin e ai të heqë dorë prej sjelljeve të veta të paudha e të jetojë, ai, i paudhi, do të vdesë për shkak të ligësisë së vet, por gjakun e tij do të ta kërkoj ty. 19Por, nëse ti e paralajmëron të paudhin e ai nuk kthehet prej paudhësisë së vet e prej sjelljeve të veta të paudha, ai do të vdesë për shkak të ligësisë së vet e ti do të shpëtosh veten. 20Nëse i drejti heq dorë nga drejtësia dhe bën padrejtësi, unë do t'i vë para një pengesë e ai do të vdesë. Nëse ti nuk e ke lajmëruar, ai do të vdesë për shkak të mëkatit të vet e nuk do të kujtohen veprat e drejta që pati bërë, por gjakun e tij do të ta kërkoj ty. 21Por, nëse ti e paralajmëron të drejtin, që të mos mëkatojë, e ai nuk mëkaton, ai do të jetojë, se ishte paralajmëruar, e ti do të shpëtosh veten».
22Atje dora e Zotit ishte mbi mua e ai më tha: «Çohu e dil në luginë, se atje do të të flas». 23U çova e dola në luginë dhe, ja, aty qëndronte lavdia e Zotit, si lavdia që kisha parë buzë lumit Kebar, e rashë me fytyrë përtokë. 24Atëherë hyri në mua një shpirt e më ngriti më këmbë. Pastaj më foli e më tha: «Shko e mbyllu brenda në shtëpi. 25E ty, o bir i njeriut, ja, do të të hedhin përsipër litarët e do të të lidhin me to, që të mos dalësh mes tyre. 26Do të ta ngjis gjuhën për qiellzë e do të mbetesh memec dhe nuk do të jesh më për ta ai që i qorton, se janë fis kryeneç. 27Por, kur do të flas me ty, do të ta hap gojën e ti do t'u thuash: “Kështu thotë Zoti im, Zoti”. Kush do të dëgjojë, të dëgjojë, kush nuk do, të mos dojë, sepse janë fis kryeneç».

Aktualisht i përzgjedhur:

Ezekieli 3: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë