Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ezekieli 18:20-32

Ezekieli 18:20-32 AL1

Shpirti që mëkaton, ai do të vdesë. Biri nuk do të mbajë fajin e të atit, as ati fajin e të birit. Mbi të drejtin do të mbetet drejtësia dhe mbi të ligun do të mbetet ligësia. Por, nëse i paudhi heq dorë nga të gjitha mëkatet që ka bërë, mban të gjitha rregullat e mia dhe zbaton të drejtën e drejtësinë, ai do të jetojë e nuk do të vdesë. Nuk do t'i kujtohet më asnjë shkelje që ka bërë, por do të jetojë në saje të drejtësisë që ka zbatuar. A kënaqem unë me vdekjen e të paudhit, kumton Zoti im, ZOTI, apo që ai të heqë dorë nga sjellja e tij e të jetojë? Por, nëse i drejti heq dorë nga drejtësia dhe bën padrejtësi, si të gjitha pështirësitë që bën i paudhi, a do të jetojë vallë ai? Asnjë gjë e drejtë që pati bërë nuk do t'i mbahet mend, por për shkak të pabesisë që kreu e të mëkatit që bëri, ai do të vdesë. Ju thoni: “Nuk është e drejtë sjellja e Zotit”. Dëgjoni, pra, o shtëpia e Izraelit: nuk është e drejtë sjellja ime apo nuk është e drejtë sjellja juaj? Nëse i drejti heq dorë nga drejtësia dhe bën padrejtësi, do të vdesë për shkak të saj. Për shkak të padrejtësisë që bëri do të vdesë. Nëse i paudhi heq dorë nga paudhësia që ka bërë dhe zbaton të drejtën e drejtësinë, shpirti i tij do të jetojë. E vuri re, u largua nga të gjitha shkeljet që kishte kryer, prandaj do të jetojë e nuk do të vdesë. Por shtëpia e Izraelit thotë: “Nuk është e drejtë sjellja e Zotit”. Nuk është e drejtë sjellja ime, o shtëpia e Izraelit, apo nuk është e drejtë sjellja juaj? Prandaj do ta gjykoj secilin sipas sjelljes së vet, o shtëpia e Izraelit, kumton Zoti im, ZOTI. Hiqni dorë e kthehuni nga të gjitha shkeljet tuaja e nuk do t'ju pengojë më faji juaj. Shporrini prej jush të gjitha shkeljet që keni bërë dhe bëni një zemër të re e një shpirt të ri. Pse doni të vdisni, o shtëpia e Izraelit? Unë nuk kënaqem me vdekjen e askujt, kumton Zoti im, ZOTI, prandaj pendohuni e jetoni».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë