Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ezekieli 18:20-32

Ezekieli 18:20-32 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Shpirti që mëkaton, ai do të vdesë. Biri nuk do të mbajë fajin e të atit, as ati fajin e të birit. Mbi të drejtin do të mbetet drejtësia dhe mbi të ligun do të mbetet ligësia. Por, nëse i paudhi heq dorë nga të gjitha mëkatet që ka bërë, mban të gjitha rregullat e mia dhe zbaton të drejtën e drejtësinë, ai do të jetojë e nuk do të vdesë. Nuk do t'i kujtohet më asnjë shkelje që ka bërë, por do të jetojë në saje të drejtësisë që ka zbatuar. A kënaqem unë me vdekjen e të paudhit, kumton Zoti im, ZOTI, apo që ai të heqë dorë nga sjellja e tij e të jetojë? Por, nëse i drejti heq dorë nga drejtësia dhe bën padrejtësi, si të gjitha pështirësitë që bën i paudhi, a do të jetojë vallë ai? Asnjë gjë e drejtë që pati bërë nuk do t'i mbahet mend, por për shkak të pabesisë që kreu e të mëkatit që bëri, ai do të vdesë. Ju thoni: “Nuk është e drejtë sjellja e Zotit”. Dëgjoni, pra, o shtëpia e Izraelit: nuk është e drejtë sjellja ime apo nuk është e drejtë sjellja juaj? Nëse i drejti heq dorë nga drejtësia dhe bën padrejtësi, do të vdesë për shkak të saj. Për shkak të padrejtësisë që bëri do të vdesë. Nëse i paudhi heq dorë nga paudhësia që ka bërë dhe zbaton të drejtën e drejtësinë, shpirti i tij do të jetojë. E vuri re, u largua nga të gjitha shkeljet që kishte kryer, prandaj do të jetojë e nuk do të vdesë. Por shtëpia e Izraelit thotë: “Nuk është e drejtë sjellja e Zotit”. Nuk është e drejtë sjellja ime, o shtëpia e Izraelit, apo nuk është e drejtë sjellja juaj? Prandaj do ta gjykoj secilin sipas sjelljes së vet, o shtëpia e Izraelit, kumton Zoti im, ZOTI. Hiqni dorë e kthehuni nga të gjitha shkeljet tuaja e nuk do t'ju pengojë më faji juaj. Shporrini prej jush të gjitha shkeljet që keni bërë dhe bëni një zemër të re e një shpirt të ri. Pse doni të vdisni, o shtëpia e Izraelit? Unë nuk kënaqem me vdekjen e askujt, kumton Zoti im, ZOTI, prandaj pendohuni e jetoni».

Ezekieli 18:20-32 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Shpirti që mëkaton do të vdesë, i biri nuk do të mbartë paudhësinë e atit dhe ati nuk do të mbartë paudhësinë e birit; drejtësia e të drejtit do të jetë mbi të, pabesia e të pabesit do të bien mbi të. Në rast se i pabesi largohet nga të gjitha mëkatet që kryente, në rast se respekton të gjitha statutet e mija dhe zbaton barazinë dhe drejtësinë, ai me siguri ka për të jetuar; nuk ka për të vdekur. Asnjë nga shkelje që ka kryer nuk do t'i kujtohet atij; ai do të jetojë për shkak të drejtësisë që zbaton. A ndiej vallë gëzim nga vdekja e të pabesit?", thotë Zoti, Zoti, "apo përkundrazi që ai të kthehet nga rrugët e tij dhe të jetojë? Por në rast se i drejti largohet nga drejtësia e tij dhe kryen paudhësinë dhe imiton tërë gjërat e neveritshme që kryen i pabesi, a do të jetojë vallë ai? Në rast se tërë drejtësia që ka bërë nuk do të kujtohet më; për shkeljen që ka kryer dhe mëkatin që ka bërë, ai ka për të vdekur, për shkak të tyre. Megjithatë ju thoni: "Rruga e Zotit nuk është e drejtë". Dëgjoni tani, o shtëpi e Izraelit: është pikërisht rruga ime që nuk është e drejtë ose janë më tepër rrugët tuaja që nuk janë të drejta? Në rast se i drejti largohet nga drejtësia e tij dhe kryen paudhësi dhe për këtë shkak vdes, ai vdes nga paudhësia që ka kryer. Përkundrazi, në se i pabesi largohet nga pabesia që ndiqte dhe zbaton barazinë dhe drejtësinë, ai do ta shpëtojë shpirtin e tij. Duke qenë se ka marrë parasysh të largohet nga të gjitha shkeljet që kryente, ai ka për të jetuar me siguri; nuk ka për të vdekur. Megjithatë shtëpia e Izraelit thotë: "Rruga e Zotit nuk është e drejtë". A janë pikërisht rrugët e mia që nuk janë të drejta, o shtëpi e Izraelit, janë më tepër rrugët tuaja që nuk janë të drejta? Prandaj do ta gjykoj secilin prej jush sipas rrugëve të tij, o shtëpi e Izraelit", thotë Zoti, Zoti. "Pendohuni dhe braktisni tërë shkeljet tuaja, kështu paudhësia nuk do të jetë më për ju shkak shkatërrimi. Flakni larg jush tërë shkeljet tuaja që keni kryer dhe bëjini vetes një zemër të re dhe një shpirt të ri. Pse vallë doni të vdisni, o shtëpi e Izraelit? Unë në fakt nuk ndiej asnjë kënaqësi me vdekjen e atij që vdes" thotë Zoti, Zoti. "Ndërroni rrugë, pra, dhe do të jetoni".

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë