Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Dalja 4:1-17

Dalja 4:1-17 AL1

Moisiu iu përgjigj Perëndisë e i tha: «Po sikur të mos më besojnë, të mos ma dëgjojnë fjalën e të më thonë: “Nuk të është shfaqur ZOTI”?». Atëherë ZOTI i tha: «Çfarë ke në dorë?». Ai u përgjigj: «Një shkop». Ai i tha: «Hidhe në tokë!» dhe Moisiu e hodhi në tokë. Shkopi u kthye në gjarpër dhe Moisiu u step para tij. Por ZOTI i tha Moisiut: «Zgjate dorën dhe kape prej bishti!». Ai zgjati dorën dhe e kapi. Atëherë gjarpri iu kthye në shkop. Perëndia i tha: «Kështu do të besojnë se t'u shfaq ZOTI, Perëndia i etërve të tyre, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit». ZOTI i tha përsëri: «Fute dorën në kraharor!». Moisiu futi dorën në kraharor dhe, kur e nxori, lëkura e dorës iu sëmur e iu bë e bardhë si bora. Perëndia i tha: «Fute prapë dorën në kraharor!». Ai e futi dhe, kur e nxori, dora iu kthye si më parë, si gjithë pjesa tjetër e trupit. Pastaj Perëndia i tha: «Nëse nuk të besojnë dhe nuk e pranojnë shenjën e parë, do t'i besojnë të dytës. Dhe nëse nuk u besojnë as këtyre dy shenjave e nuk ta dëgjojnë fjalën, merr ujë nga lumi Nil dhe derdhe në tokë. Atëherë uji që do të marrësh nga Nili do të kthehet në gjak mbi tokë». Por Moisiu i tha ZOTIT: «Të lutem, Imzot, unë kurrë nuk kam qenë njeri i gojës, as dje, as më përpara dhe as tani që i fole shërbëtorit tënd, sepse jam i ngathët në fjalë e në të folur». ZOTI i tha: «Kush ia dha gojën njeriut? Kush e bën memec apo të shurdhër? Kush e bën të shohë apo të verbër? A nuk jam unë, ZOTI? Tani, pra, shko! Unë do të jem me ty kur të flasësh dhe do të të mësoj çfarë të thuash». Por Moisiu i tha: «Të lutem, Imzot, dërgo dikë tjetër». Atëherë ZOTI u zemërua me Moisiun e i tha: «A nuk është Aron Leviti vëllai yt? Ai flet mirë. Ja, po del të të takojë dhe do të gëzohet kur të të shohë. Fol me të dhe tregoji çfarë të thotë. Unë do të jem me ju të dy kur të flisni e do t'ju mësoj çfarë të bëni. Lëre Aronin t'i flasë popullit në vendin tënd. Ai do të jetë goja jote dhe ti do të jesh perëndi për të. Merre edhe këtë shkop në dorë. Me të do t'i bësh shenjat».