Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Eksodi 4:1-17

Eksodi 4:1-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Moisiu iu përgjigj Perëndisë e i tha: «Po sikur të mos më besojnë, të mos ma dëgjojnë fjalën e të më thonë: “Nuk të është shfaqur ZOTI”?». Atëherë ZOTI i tha: «Çfarë ke në dorë?». Ai u përgjigj: «Një shkop». Ai i tha: «Hidhe në tokë!» dhe Moisiu e hodhi në tokë. Shkopi u kthye në gjarpër dhe Moisiu u step para tij. Por ZOTI i tha Moisiut: «Zgjate dorën dhe kape prej bishti!». Ai zgjati dorën dhe e kapi. Atëherë gjarpri iu kthye në shkop. Perëndia i tha: «Kështu do të besojnë se t'u shfaq ZOTI, Perëndia i etërve të tyre, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit». ZOTI i tha përsëri: «Fute dorën në kraharor!». Moisiu futi dorën në kraharor dhe, kur e nxori, lëkura e dorës iu sëmur e iu bë e bardhë si bora. Perëndia i tha: «Fute prapë dorën në kraharor!». Ai e futi dhe, kur e nxori, dora iu kthye si më parë, si gjithë pjesa tjetër e trupit. Pastaj Perëndia i tha: «Nëse nuk të besojnë dhe nuk e pranojnë shenjën e parë, do t'i besojnë të dytës. Dhe nëse nuk u besojnë as këtyre dy shenjave e nuk ta dëgjojnë fjalën, merr ujë nga lumi Nil dhe derdhe në tokë. Atëherë uji që do të marrësh nga Nili do të kthehet në gjak mbi tokë». Por Moisiu i tha ZOTIT: «Të lutem, Imzot, unë kurrë nuk kam qenë njeri i gojës, as dje, as më përpara dhe as tani që i fole shërbëtorit tënd, sepse jam i ngathët në fjalë e në të folur». ZOTI i tha: «Kush ia dha gojën njeriut? Kush e bën memec apo të shurdhër? Kush e bën të shohë apo të verbër? A nuk jam unë, ZOTI? Tani, pra, shko! Unë do të jem me ty kur të flasësh dhe do të të mësoj çfarë të thuash». Por Moisiu i tha: «Të lutem, Imzot, dërgo dikë tjetër». Atëherë ZOTI u zemërua me Moisiun e i tha: «A nuk është Aron Leviti vëllai yt? Ai flet mirë. Ja, po del të të takojë dhe do të gëzohet kur të të shohë. Fol me të dhe tregoji çfarë të thotë. Unë do të jem me ju të dy kur të flisni e do t'ju mësoj çfarë të bëni. Lëre Aronin t'i flasë popullit në vendin tënd. Ai do të jetë goja jote dhe ti do të jesh perëndi për të. Merre edhe këtë shkop në dorë. Me të do t'i bësh shenjat».

Eksodi 4:1-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Moisiu u përgjigj dhe tha: "Por ja, ata nuk do të më besojnë as do t'i binden zërit tim, sepse do të thonë: "Zoti nuk të është shfaqur"". Atëherë Zoti i tha: "Ç'është ajo që ke në dorë?". Ai u përgjigj: "Një bastun". Zoti tha: "Hidhe për tokë". Ai e hodhi për tokë, dhe ai u bë një gjarpër, para të cilit Moisiu iku me vrap. Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Zgjate dorën dhe kape nga bishti". (Ai zgjati dorën dhe e mori, dhe në dorën e tij ai u bë një bastun). "Këtë ke për të bërë", tha Zoti, "me qëllim që të besojnë se Zoti, Perëndia i etërve të tyre, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit të është shfaqur". Zoti i tha akoma: "Tani vër dorën në gjirin tënd". Dhe ai vuri dorën e tij në gji dhe pastaj e tërhoqi, dhe ja, dora ishte lebrosur, e bardhë si bora. Zoti i tha akoma: "Vëre përsëri dorën në gjirin tënd". Ai e vuri përsëri dorën e tij në gji dhe pastaj e tërhoqi nga gjiri, dhe ja, ajo ishte bërë njëlloj si mishi i tij. "Tani ka për të ndodhur që, po të jetë se nuk të besojnë dhe nuk e dëgjojnë zërin e shenjës së parë, do të besojnë zërin e shenjës së dytë. Por, në rast se ata nuk do t'u besojnë as këtyre dy shenjave dhe nuk do t'i binden zërit tënd, ti atëherë merr ujë nga lumi dhe derdhe mbi tokë të thatë; dhe uji që do të kesh marrë nga lumi do të bëhet gjak mbi tokën e thatë". Atëherë Moisiu i tha Zotit: "Mjerisht, o Zot, unë nuk jam njeri i gojës; nuk isha i tillë në të kaluarën dhe nuk jam i tillë që kur i ke folur shërbëtorit tënd, sepse jam i ngathët në fjalë dhe kuvend". Zoti i tha: "Kush e ka bërë gojën e njeriut, ose kush e bën njeriun të pagojë, të shurdhër, me sy ose të verbër? A nuk jam unë vallë, Zoti? Dhe tani shko, unë do të jem me gojën tënde dhe do të të mësoj atë që duhet të thuash". Por Moisiu tha: "Oh! Zot, dërgo mesazhin tënd nëpërmjet kujt të duash!". Atëherë zemërimi i Zotit u ndez kundër Moisiut, dhe i tha: "A nuk është ndofta Aaroni vëllai yt, leviti? Unë e di që ai flet bukur. Ja tani, ai po del të të takojë; sa të të shohë do të ndiejë gëzim në zemër të vet. Ti do t'i flasësh dhe do t'i vësh fjalët në gojën e tij, dhe unë do të jem me gojën tënde dhe me gojën e tij dhe do t'ju mësoj atë që duhet të bëni. Ai do të jetë zëdhënësi yt në popull; kështu ai për ty do të jetë goja dhe ti për të do të jesh si Perëndia. Tani merr në dorë këtë bastun me të cilin ke për të bërë mrekullitë".