Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Dalja 24

24
Besëlidhja
1Pastaj Zoti i tha Moisiut: «Ngjituni lart te Zoti, ti, Aroni, Nadabi, Abihui dhe shtatëdhjetë pleq të Izraelit dhe adhuroni nga larg. 2Vetëm Moisiu t'i afrohet Zotit, por ata të mos afrohen. Populli të mos ngjitet lart me ta».
3Moisiu shkoi e i tregoi popullit tërë fjalët e Zotit dhe tërë vendimet. Mbarë populli u përgjigj njëzëri: «Do t'i zbatojmë të gjitha fjalët që tha Zoti». 4Atëherë Moisiu i shkroi të gjitha fjalët e Zotit. Në të gdhirë, Moisiu ndërtoi një altar rrëzë malit dhe dymbëdhjetë përmendore, një për çdo fis të Izraelit. 5Pastaj dërgoi të rinjtë e Izraelit që të flijonin dema për Zotin si fli shkrumbimi e paqtimi. 6Moisiu mori gjysmën e gjakut dhe e derdhi në enë, ndërsa me gjysmën tjetër spërkati altarin. 7Atëherë mori librin e Besëlidhjes dhe e lexoi para popullit. Ata thanë: «Do të bëjmë e do të mbajmë gjithçka që tha Zoti». 8Moisiu mori gjakun, spërkati popullin dhe pastaj u tha: «Ja, ky është gjaku i besëlidhjes që Zoti lidhi me ju sipas gjithë këtyre fjalëve».
Moisiu në mal
9Atëherë Moisiu bashkë me Aronin, Nadabin, Abihuin dhe shtatëdhjetë pleqtë e Izraelit u ngjitën në mal. 10Ata panë Perëndinë e Izraelit. Nën këmbët e tij ishte shtruar diçka si safir, një e kaltër e kthjellët si qielli vetë. 11Por Perëndia nuk ngriti dorë kundër krerëve të Izraelit. Ata e panë Perëndinë dhe hëngrën e pinë.
12 Zoti i tha Moisiut: «Ngjitu tek unë në mal dhe qëndro aty. Do të të jap rrasat e gurit, ligjin dhe urdhërimet që shkrova për t'ua mësuar atyre». 13Moisiu u ngjit në malin e Perëndisë bashkë me Jozuehun, ndihmësin e tij. 14Ndërsa pleqve u tha: «Na pritni këtu derisa të kthehemi. Ja ku e keni Aronin dhe Hurin. Kush ka ndonjë mosmarrëveshje, t'u drejtohet atyre».
15Kështu Moisiu u ngjit në mal dhe reja mbuloi malin. 16Lavdia e Zotit u preh mbi malin e Sinait dhe reja mbuloi malin për gjashtë ditë. Në ditën e shtatë Zoti e thirri Moisiun prej resë. 17Lavdia e Zotit iu dukej izraelitëve si një zjarr përvëlues në majë të malit. 18Moisiu u fut në mes të resë dhe u ngjit në mal. Ai qëndroi në mal për dyzet ditë e net.

Aktualisht i përzgjedhur:

Dalja 24: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr