Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Dalja 19

19
Izraelitët në malin e Sinait
1Në muajin e tretë pas daljes nga toka e Egjiptit, po në ato ditë, izraelitët mbërritën në shkretëtirën e Sinait. 2Si u nisën nga Refidimi, arritën në shkretëtirën e Sinait dhe atje izraelitët fushuan përballë malit. 3Moisiu u ngjit lart te Perëndia dhe Zoti i thirri nga mali e i tha: «Kështu thuaji shtëpisë së Jakobit dhe kështu tregoju bijve të Izraelit: 4“Ju vetë e patë si veprova me Egjiptin, si ju mbajta mbi krahë shqiponjash e ju solla tek unë. 5Tani pra, nëse ma dëgjoni me të vërtetë fjalën dhe mbani besëlidhjen time, atëherë, ndër gjithë popujt, ju do të jeni për mua thesar i çmuar, sepse mbarë toka është e imja. 6Ju do të jeni për mua një mbretëri priftërore dhe një komb i shenjtë”. Këto fjalë thuaju bijve të Izraelit».
7Moisiu shkoi, thirri pleqtë e popullit dhe u parashtroi gjithçka i kishte urdhëruar Zoti. 8Atëherë i gjithë populli u përgjigj njëzëri: «Do të bëjmë gjithçka që ka thënë Zoti» dhe Moisiu ia njoftoi Zotit përgjigjen e popullit. 9Zoti i tha Moisiut: «Ja, unë po vij te ti në një re të dendur, që populli të dëgjojë kur të flas me ty dhe kështu të besojnë përgjithmonë edhe në ty».
Zoti në malin e Sinait
Kur Moisiu i njoftoi Zotit fjalët e popullit, 10Zoti i tha: «Shko te populli dhe shenjtëroje sot e nesër. Thuaji t'i lajnë rrobat 11e të jenë gati ditën e tretë, sepse ditën e tretë Zoti do të zbresë para syve të gjithë popullit mbi malin e Sinait. 12Vendos një cak përreth popullit e thuaji: “Ruajuni se mos ngjiteni në mal apo prekni rrëzën e malit, sepse kushdo që do ta prekë, do të vritet. 13Askush të mos guxojë ta prekë me dorë këtë njeri. Ai të vritet me gur ose me shigjetë. Askush nuk do të lihet gjallë, qoftë njeri, qoftë kafshë. Vetëm kur të dëgjohet mirë briri mund të ngjiten në mal”». 14Moisiu zbriti nga mali, e shenjtëroi popullin dhe ata i lanë rrobat. 15Ai u tha: «Bëhuni gati për ditën e tretë. Mos prekni grua me dorë!».
16Në mëngjesin e ditës së tretë u dëgjuan gjëmime e vetëtima. Një re e dendur mbuloi malin dhe briri jehoi fort. Tërë populli, që ndërkohë po fushonte, u drodh nga frika. 17Atëherë Moisiu e nxori popullin nga fushimi që të takonte Perëndinë dhe ata qëndruan në rrëzë të malit. 18Mali i Sinait u bë tym krejt, sepse Zoti kishte zbritur me zjarr mbi të. Tymi ngrihej si të ishte tym furre dhe i tërë mali u tund fort. 19Ndërkohë që jehona e bririt sa vinte e bëhej më e fortë, Moisiu fliste dhe Perëndia i përgjigjej me zë#19.19 të tjerë: bubullimë. 20Zoti zbriti mbi majën e malit të Sinait dhe thirri edhe Moisiun në majë të malit. Moisiu u ngjit lart. 21Zoti i tha Moisiut: «Zbrit e porosite popullin të mos e kalojë cakun për të parë Zotin, përndryshe shumë prej tyre do të vdesin. 22Edhe priftërinjtë që i afrohen Zotit të jenë të shenjtëruar, përndryshe Zoti do të vërsulet mbi ta». 23Moisiu i tha Zotit: «Populli nuk ka për t'u ngjitur në malin e Sinait, sepse ti vetë na porosite që të vëmë një cak përqark malit dhe ta shenjtërojmë». 24Zoti i tha: «Shko, zbrit dhe pastaj ngjitu bashkë me Aronin. Priftërinjtë dhe populli të mos ngjiten te Zoti, përndryshe ai do të vërsulet mbi ta». 25Kështu, Moisiu zbriti te populli dhe foli me ta.

Aktualisht i përzgjedhur:

Dalja 19: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr