Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Dalja 1:6-22

Dalja 1:6-22 AL1

Jozefi, gjithë vëllezërit e tij dhe mbarë ajo brezni vdiqën. Bijtë e Izraelit u shtuan, u rritën, u shumuan e u forcuan tej mase. Kështu, vendi u mbush me ta. Atëkohë në Egjipt doli një mbret i ri që nuk e njihte Jozefin. Ai i tha popullit të tij: «Ja, populli i Izraelit është më i madh e më i fuqishëm se ne! Ejani, të tregohemi të zgjuar me ta, përndryshe do të shtohen dhe, në rast lufte, do të bashkohen me armiqtë tanë. Do të na luftojnë e do të largohen nga ky vend». Kështu, caktuan mbikëqyrës skllevërish që t'i shtypnin me punë të detyruar. Bijtë e Izraelit ndërtuan për faraonin qytetet-depo të Pitomit e të Ramsesit. Por, sa më shumë që i shtypnin, aq më shumë shtoheshin e përhapeshin. Egjiptianët filluan t'i kishin frikë bijtë e Izraelit. Egjiptianët i munduan si skllevër bijtë e Izraelit. Ua nxinë jetën me punë të rënda duke i detyruar të bënin llaç e tulla dhe çdo lloj pune në fushë. Ua morën shpirtin në të gjitha punët që bënin. Mbreti i Egjiptit foli edhe me mamitë e hebrenjve. Njëra prej tyre quhej Sifra, ndërsa tjetra Pua. Ai u tha: «Kur të ndihmoni gratë hebreje gjatë lindjes, nëse shihni se foshnja është djalë, vriteni, por nëse është vajzë, lëreni të rrojë». Mamitë i druheshin Perëndisë dhe nuk bënë siç u tha mbreti i Egjiptit. Ato i lanë gjallë foshnjat meshkuj. Atëherë mbreti i Egjiptit i thirri mamitë e u tha: «Përse po i mbani gjallë djemtë?». Ato i thanë faraonit: «Gratë hebreje nuk janë si egjiptianet. Janë të forta dhe lindin para se t'iu vijë mamia». Perëndia u tregua i mirë me mamitë dhe populli u shtua e u bë shumë i fortë. Meqë mamitë i druheshin Perëndisë, ai u dha trashëgimtarë. Atëherë faraoni e urdhëroi tërë popullin e tij: «Hidhni në Nil çdo djalë që lind, ndërsa vajzat lërini gjallë!».