Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Kuvendari 2:1-11

Kuvendari 2:1-11 AL1

Atëherë thashë me vete: «Eja, pra, e provo edhe kënaqësinë! Dëfrehu!». Por, ja, edhe kjo është tymnajë. Për gazmimin thashë: «Marrëzi!». Edhe për kënaqësinë: «Për çfarë duhet?». U orvata me zemër ta kënaqja trupin me verë, ndonëse zemrën ma drejtonte urtia, e të arrija çmendurinë, derisa të shihja ku është ajo e mirë që bëjnë njerëzit nën qiell përgjatë gjithë jetës së tyre. Bëra vepra të mëdha, ndërtova për vete shtëpi e mbolla vreshta për vete. Bëra për vete kopshte e pemishte dhe i mbolla me të gjitha pemët frutore. Bëra për vete pellgje uji për të ujitur pyllin me fidanë. Bleva skllevër e skllave për vete dhe të tjerë më lindën në shtëpi. Pata edhe shumë tufa bagëtish e grigja për vete, më shumë se të gjithë paraardhësit e mi në Jerusalem. Grumbullova për vete argjend e ar, si edhe thesarin e mbretërve e të krahinave. Mblodha për vete këngëtarë e këngëtare, si edhe shumë gra, që janë kënaqësia e njerëzisë. U bëra i madhërishëm e ua kalova të gjithë paraardhësve të mi në Jerusalem. Madje edhe urtia ndenji me mua. Çfarëdo të më lypnin sytë, nuk ua mohoja. Nuk ia mohova zemrës asnjë kënaqësi, se zemra ime kënaqej me të gjitha mundet e mia dhe këtë e kisha si shpërblim për çdo mund. Pastaj i kundrova të gjitha veprat që kishin bërë duart e mia dhe mundin që kisha derdhur për t'i bërë. Dhe, ja, gjithçka është tymnajë e si të rendësh pas erës, se nuk ka dobi nën diell.