Predikuesi 2:1-11
Predikuesi 2:1-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atëherë thashë me vete: «Eja, pra, e provo edhe kënaqësinë! Dëfrehu!». Por, ja, edhe kjo është tymnajë. Për gazmimin thashë: «Marrëzi!». Edhe për kënaqësinë: «Për çfarë duhet?». U orvata me zemër ta kënaqja trupin me verë, ndonëse zemrën ma drejtonte urtia, e të arrija çmendurinë, derisa të shihja ku është ajo e mirë që bëjnë njerëzit nën qiell përgjatë gjithë jetës së tyre. Bëra vepra të mëdha, ndërtova për vete shtëpi e mbolla vreshta për vete. Bëra për vete kopshte e pemishte dhe i mbolla me të gjitha pemët frutore. Bëra për vete pellgje uji për të ujitur pyllin me fidanë. Bleva skllevër e skllave për vete dhe të tjerë më lindën në shtëpi. Pata edhe shumë tufa bagëtish e grigja për vete, më shumë se të gjithë paraardhësit e mi në Jerusalem. Grumbullova për vete argjend e ar, si edhe thesarin e mbretërve e të krahinave. Mblodha për vete këngëtarë e këngëtare, si edhe shumë gra, që janë kënaqësia e njerëzisë. U bëra i madhërishëm e ua kalova të gjithë paraardhësve të mi në Jerusalem. Madje edhe urtia ndenji me mua. Çfarëdo të më lypnin sytë, nuk ua mohoja. Nuk ia mohova zemrës asnjë kënaqësi, se zemra ime kënaqej me të gjitha mundet e mia dhe këtë e kisha si shpërblim për çdo mund. Pastaj i kundrova të gjitha veprat që kishin bërë duart e mia dhe mundin që kisha derdhur për t'i bërë. Dhe, ja, gjithçka është tymnajë e si të rendësh pas erës, se nuk ka dobi nën diell.
Predikuesi 2:1-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Unë thashë në zemrën time: "Eja tani, dua të të vë në provë me gëzimin, dhe ti do të gëzosh ëndjen". Por ja, edhe kjo është kotësi. Për të qeshurit kam thënë: "Është një marrëzi, dhe për gëzimin: "Kujt i shërben?". Kërkova në zemrën time si ta kënaq trupin tim me verë, duke e nxitur njëkohësisht zemrën time drejt diturisë dhe t'i qepet marrëzisë, derisa të shoh cila është e mira që bijtë e njerëzve do të duhej të bënin nën qiell tërë ditët e jetës së tyre. Kështu kreva punime të mëdha për vete; ndërtova shtëpi, mbolla vreshta, bëra kopshte dhe parqe, duke mbjellë drurë frutorë të çdo lloji; ndërtova pellgje për ujin me të cilat të mund të vadis pyllin që të rriten drurët. Bleva shërbëtorë dhe shërbëtore dhe u bëra me shërbëtorë që lindën në shtëpi; pata pasuri të mëdha në kope me bagëti të trashë dhe të imët më tepër se ata që kishin qenë para meje në Jeruzalem. Grumbullova për vete edhe argjend, ar dhe pasuritë e mbretërve dhe të krahinave; gjeta këngëtarë dhe këngëtare, kënaqësitë e bijve të njerëzve, dhe vegla muzikore të çdo lloji. Kështu u bëra i madh dhe u begatova më tepër se ata që kishin qenë para meje në Jeruzalem; edhe dituria më mbeti mua. Tërë ato që sytë e mi dëshironin, nuk ua mohova atyre; nuk i refuzova zemrës sime asnjë qejf, sepse zemra ime kënaqej me çdo punë timen; dhe ky ka qenë shpërblimi për çdo punë të bërë nga unë. Pastaj u ktheva të shikoj tërë veprat që kishin bërë duart e mia dhe mundin tim për t'i kryer; dhe ja, të gjitha ishin kotësi dhe një kërkim për të kapur erën; nuk kishte asnjë përfitim nën diell.