Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ligji i përtërirë 4:32-40

Ligji i përtërirë 4:32-40 AL1

Shqyrtoji kohët e lashta, përpara se të vije në jetë, që nga dita kur Perëndia krijoi njeriun mbi tokë. Shqyrtoji qiejt nga skaji në skaj e pyet: a ka ndodhur ndonjëherë një gjë kaq e madhe? A është dëgjuar ndonjëherë një gjë e tillë? A e ka dëgjuar ndonjë popull zërin e Perëndisë që fliste nga mesi i zjarrit, siç e dëgjove ti, e mbeti gjallë? Cili Perëndi provoi të shkojë të marrë për vete një komb nga mesi i një kombi tjetër përmes sprovave, shenjave, mrekullive, betejave, dorës së fuqishme, krahut të fortë e gjëmave të mëdha ashtu siç bëri për ju ZOTI, Perëndia juaj, para syve tuaj kur ishit në Egjipt? Këto të janë dëftuar që ta dish se ZOTI është Perëndi. Nuk ka tjetër përveç tij. Nga qielli të bëri ta dëgjosh zërin e tij, për të të ndrequr. Përmbi tokë të shfaqi zjarrin e tij të madh dhe nga mesi i këtij zjarrit dëgjove fjalët e tij. Ai zgjodhi pasardhësit e etërve të tu nga dashuria për ta. Ai vetë të nxori prej Egjiptit përmes fuqisë së tij të madhe. Dëboi para teje kombe më të mëdhenj e më të fuqishëm se ti, që të të sjellë e të të japë për trashëgimi tokën e tyre, siç po ndodh sot. Dije, pra, sot e skalite në zemër se ZOTI është Perëndi lart në qiell e poshtë në tokë. Tjetër nuk ka. Mbaji rregullat e urdhërimet që unë po të urdhëroj sot, që të të shkojë mbarë ty e fëmijëve të tu pas teje e të jetosh gjatë në vendin që ZOTI, Perëndia yt, po të jep përgjithmonë».