Ligji i Përtërirë 4:32-40
Ligji i Përtërirë 4:32-40 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Shqyrtoji kohët e lashta, përpara se të vije në jetë, që nga dita kur Perëndia krijoi njeriun mbi tokë. Shqyrtoji qiejt nga skaji në skaj e pyet: a ka ndodhur ndonjëherë një gjë kaq e madhe? A është dëgjuar ndonjëherë një gjë e tillë? A e ka dëgjuar ndonjë popull zërin e Perëndisë që fliste nga mesi i zjarrit, siç e dëgjove ti, e mbeti gjallë? Cili Perëndi provoi të shkojë të marrë për vete një komb nga mesi i një kombi tjetër përmes sprovave, shenjave, mrekullive, betejave, dorës së fuqishme, krahut të fortë e gjëmave të mëdha ashtu siç bëri për ju ZOTI, Perëndia juaj, para syve tuaj kur ishit në Egjipt? Këto të janë dëftuar që ta dish se ZOTI është Perëndi. Nuk ka tjetër përveç tij. Nga qielli të bëri ta dëgjosh zërin e tij, për të të ndrequr. Përmbi tokë të shfaqi zjarrin e tij të madh dhe nga mesi i këtij zjarrit dëgjove fjalët e tij. Ai zgjodhi pasardhësit e etërve të tu nga dashuria për ta. Ai vetë të nxori prej Egjiptit përmes fuqisë së tij të madhe. Dëboi para teje kombe më të mëdhenj e më të fuqishëm se ti, që të të sjellë e të të japë për trashëgimi tokën e tyre, siç po ndodh sot. Dije, pra, sot e skalite në zemër se ZOTI është Perëndi lart në qiell e poshtë në tokë. Tjetër nuk ka. Mbaji rregullat e urdhërimet që unë po të urdhëroj sot, që të të shkojë mbarë ty e fëmijëve të tu pas teje e të jetosh gjatë në vendin që ZOTI, Perëndia yt, po të jep përgjithmonë».
Ligji i Përtërirë 4:32-40 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pyet gjithashtu kohërat e lashta, që kanë qenë para teje, nga dita që Perëndia krijoi njeriun në tokë, dhe pyet nga një anë e qiellit në tjetrën në se ka pasur ndonjë herë një gjë aq të madhe si kjo ose në se është dëgjuar një gjë e tillë si kjo. A ka pasur vallë ndonjë popull që të ketë dëgjuar zërin e Perëndisë të flasë nga mesi i zjarrit, siç e dëgjove ti, dhe të ketë mbetur gjallë? A ka pasur vallë ndonjë Perëndi që ka provuar të shkojë e të marrë për vete një komb në mes të një kombi tjetër me anë provash, shenjash, mrekullish dhe betejash, me dorë të fuqishme, me krahë të shtrirë dhe me ankthe të mëdha terrori, siç bëri për ju Zoti, Perëndia juaj, në Egjipt para syve tuaj? Të tëra këto të janë treguar, në mënyrë që të pranosh se Zoti është Perëndi dhe që nuk ka asnjë tjetër veç tij. Nga qielli bëri që të dëgjosh zërin e tij që të të mësojë; dhe mbi tokë të bëri të shikosh zjarrin e tij të madh dhe dëgjove fjalët e tij në mes të zjarrit. Dhe nga që i deshi etërit e tu, ai zgjodhi pasardhësit e tyre dhe i nxori nga Egjipti në prani të tij, me anë të fuqisë së tij të madhe. duke dëbuar para teje kombe më të mëdha dhe më të fuqishme se ti, me qëllim që ti të hyje dhe ta merrje si trashëgimi vendin e tyre. Mëso, pra, sonte dhe mbaje në zemrën tënde që Zoti është Perëndi atje lart në qiejt dhe këtu poshtë në tokë, dhe se nuk ka asnjë tjetër. Respekto pra statutet dhe urdhërimet e tij që unë po të jap sot, që të jetosh në begati ti dhe bijtë e tu mbas teje dhe të zgjatësh ditët e tua në vendin që Zoti, Perëndiai yt, po të jep përgjithnjë".