«E tani, o Izrael, dëgjoji rregullat e vendimet që po ju mësoj, që, duke i mbajtur, të jetoni. Kështu do të hyni e do të pushtoni tokën që po u jep ZOTI, Perëndia i etërve tuaj. Mos u shtoni e mos u hiqni asgjë urdhrave që po ju jap. Mbajini urdhërimet e ZOTIT, Perëndisë tuaj, që po ju jap. Sytë tuaj panë atë që ZOTI bëri në Baalpeor, sesi ZOTI, Perëndia yt, zhbiu prej mesit tënd të gjithë ata që ndoqën Baalin e Peorit, ndërsa të gjithë ju që u mbajtët fort pas ZOTIT, Perëndisë suaj, jeni sot gjallë.
Ja, jua mësova rregullat e vendimet, siç më urdhëroi ZOTI, Perëndia im, që t'i zbatoni në tokën që po hyni për ta pushtuar. Mbajini e zbatojini, se kjo do t'ju bëjë të urtë e të dijshëm para syve të popujve. Ata, kur të dëgjojnë për tërë këto rregulla, do të thonë: “Sa i urtë e i dijshëm qenka ky komb i madh!”. Cili komb i madh i ka perënditë aq pranë sa kemi ne ZOTIN, Perëndinë tonë, kur e thërrasim? Cili komb i madh ka rregulla e vendime kaq të drejta sa tërë ky ligj që po ju jap sot?
Veç trego shumë kujdes e ruhu se i harron gjërat që të panë sytë. Zemra jote të mos shmanget prej tyre gjatë gjithë jetës sate. Mësojua fëmijëve e nipave të tu, si qëndrove atë ditë në Horeb para ZOTIT, Perëndisë tënd, e sesi ai më tha: “Ma mblidh popullin, që të ma dëgjojnë fjalën e të mësojnë të më druajnë gjatë gjithë ditëve të jetës së tyre mbi tokë. Këtë t'ua mësojnë edhe fëmijëve”. E ju u afruat e qëndruat rrëzë malit, ndërkohë mali digjej flakë deri në kupë të qiellit, kudo kishte errësirë, re e terr. Atëherë ZOTI, Perëndia juaj, ju foli nga mesi i zjarrit. Ia dëgjuat zërin, por trajtën nuk ia patë. Veç zërin dëgjuat, asgjë tjetër. Ai ju shpalli besëlidhjen e vet, dhjetë urdhërimet, që ju urdhëroi t'i zbatoni. Ato i shkroi në dy rrasa guri