Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ligji i Përtërirë 4:1-13

Ligji i Përtërirë 4:1-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

«E tani, o Izrael, dëgjoji rregullat e vendimet që po ju mësoj, që, duke i mbajtur, të jetoni. Kështu do të hyni e do të pushtoni tokën që po u jep ZOTI, Perëndia i etërve tuaj. Mos u shtoni e mos u hiqni asgjë urdhrave që po ju jap. Mbajini urdhërimet e ZOTIT, Perëndisë tuaj, që po ju jap. Sytë tuaj panë atë që ZOTI bëri në Baalpeor, sesi ZOTI, Perëndia yt, zhbiu prej mesit tënd të gjithë ata që ndoqën Baalin e Peorit, ndërsa të gjithë ju që u mbajtët fort pas ZOTIT, Perëndisë suaj, jeni sot gjallë. Ja, jua mësova rregullat e vendimet, siç më urdhëroi ZOTI, Perëndia im, që t'i zbatoni në tokën që po hyni për ta pushtuar. Mbajini e zbatojini, se kjo do t'ju bëjë të urtë e të dijshëm para syve të popujve. Ata, kur të dëgjojnë për tërë këto rregulla, do të thonë: “Sa i urtë e i dijshëm qenka ky komb i madh!”. Cili komb i madh i ka perënditë aq pranë sa kemi ne ZOTIN, Perëndinë tonë, kur e thërrasim? Cili komb i madh ka rregulla e vendime kaq të drejta sa tërë ky ligj që po ju jap sot? Veç trego shumë kujdes e ruhu se i harron gjërat që të panë sytë. Zemra jote të mos shmanget prej tyre gjatë gjithë jetës sate. Mësojua fëmijëve e nipave të tu, si qëndrove atë ditë në Horeb para ZOTIT, Perëndisë tënd, e sesi ai më tha: “Ma mblidh popullin, që të ma dëgjojnë fjalën e të mësojnë të më druajnë gjatë gjithë ditëve të jetës së tyre mbi tokë. Këtë t'ua mësojnë edhe fëmijëve”. E ju u afruat e qëndruat rrëzë malit, ndërkohë mali digjej flakë deri në kupë të qiellit, kudo kishte errësirë, re e terr. Atëherë ZOTI, Perëndia juaj, ju foli nga mesi i zjarrit. Ia dëgjuat zërin, por trajtën nuk ia patë. Veç zërin dëgjuat, asgjë tjetër. Ai ju shpalli besëlidhjen e vet, dhjetë urdhërimet, që ju urdhëroi t'i zbatoni. Ato i shkroi në dy rrasa guri

Ligji i Përtërirë 4:1-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

"Tani, pra, o Izrael, dëgjo statutet dhe dekretet që po ju mësoj, që t'i zbatoni në praktikë, të jetoni dhe të shtini në dorë vendin që Zoti, Perëndia i etërve tuaj, ju jep. Nuk do t'i shtoni asgjë atyre që unë ju urdhëroj dhe nuk do t'u hiqni asgjë, por zotohuni të zbatoni urdhrat e Zotit, Perëndisë tuaj, që unë ju porosis. Sytë tuaj panë atë që Zoti bëri në Baal-Peor; sepse Zoti, Perëndia juaj, shkatërroi para jush të gjithë ata që kishin shkuar pas Baal-Peorit; por ju që i qëndruat besnikë Zotit, Perëndisë tuaj, sot jeni të gjithë të gjallë. Ja, unë ju mësova statutet dhe dekretet, ashtu si Zoti, Perëndia im, më ka urdhëruar, me qëllim që t'i zbatoni në vendin në të cilin po hyni për ta shtënë në dorë. Do t'i respektoni, pra, dhe do t'i zbatoni në praktikë; sepse kjo do të jetë dituria dhe zgjuarsia juaj në sytë e popujve, të cilët, duke dëgjuar të flitet për të gjitha këto statute, kanë për të thënë: "Ky komb i madh është një popull i ditur dhe i zgjuar!". Cili komb i madh ka në fakt Perëndinë aq pranë vetes, si Zotin Perëndinë tonë, që është pranë nesh sa herë e kërkojmë? Cili komb i madh ka statute dhe dekrete të drejta si gjithë ky ligj që po ju vë përpara sot? Vetëm kini kujdes për veten tuaj dhe tregohuni të zellshëm për shpirtin tuaj, në mënyrë që të mos harroni gjërat që sytë tuaj kanë parë dhe këto të mos largohen nga zemra juaj për të gjitha ditët e jetës suaj. Por ua mësoni bijve tuaj dhe bijve të bijve tuaj, veçanërisht për ditën gjatë së cilës jeni paraqitur para Zotit, Perëndisë tuaj në Horeb, kur Zoti më tha: "Më mblidh popullin dhe ai të dëgjojë fjalët e mia, që të mësojnë të më kenë frikë gjatë të gjitha ditëve që do të jetojnë mbi tokë dhe t'ua mësojnë bijve të tyre". Atëherë ju u afruat dhe u ndalët në këmbët e malit; dhe mali digjej nga flakët që ngriheshin në mes të qiellit, dhe ishte rrethuar nga terrina, nga re dhe nga një errësirë e dendur. Dhe Zoti ju foli nga mesi i zjarrit; ju dëgjuat tingëllimin e fjalëve, por nuk patë asnjë figurë; dëgjuat vetëm një zë. Kështu ai ju shpalli besëlidhjen e tij, që ju porositi të respektoni, domethënë të dhjetë urdhërimet; dhe i shkroi mbi dy pllaka prej guri.