A nuk i kam ruajtur këto pranë vetes,
a nuk i kam kyçur në visaret e mia?
Derisa të vijë dita e hakmarrjes dhe e shpagimit,
derisa këmba t'u rrëshqasë,
se afër është dita e shkatërrimit,
fati i tyre shpejt nxiton.
ZOTI do të bëjë drejtësi për popullin e tij,
do të ketë dhembshuri për shërbëtorët e tij,
kur të shohë se e lanë fuqitë
e se s'ka më rob e të lirë.
Veçse ai do të thotë:
“Ku janë perënditë e tyre,
shkëmbi ku kërkonin strehë,
ata që hëngrën dhjamin e flijuar
dhe pinë verën e blatuar?
Të ngrihen, pra, e t'ju shpëtojnë,
ata t'ju strehojnë”.
Shikoni, pra, se unë
e vetëm unë jam Perëndi,
e krah meje s'ka tjetër.
Unë vras e kthej në jetë,
unë gjymtoj e shëroj.
Prej meje s'ka kush të të shpëtojë.
Dorën ngre drejt qiellit e betohem:
“Pasha jetën time të amshuar,
do ta mpreh shpatën që vezullon,
do ta rrokë dora ime gjykimin,
do t'u hakmerrem armiqve,
e hasmit do t'ia shpërblej.
Me gjak do t'i deh shigjetat e mia,
me mish shpatën do ta ngop,
me gjakun e të vrarëve e të robërve,
me kokat e prijësve armiq”.
Ngazëlloni, o kombe, me popullin e tij,
se e shpagoi gjakun e shërbëtorëve të tij,
kundërshtarëve ua shpërbleu,
e shleu tokën e popullit të tij».