Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ligji i përtërirë 30:11-20

Ligji i përtërirë 30:11-20 AL1

Ky urdhër që po të jap sot nuk është as i pakuptueshëm e as i pakapshëm. Nuk është në qiell, që të thuhet: “Kush do të ngjitet në qiell, që të na e sjellë e të na e shpallë për ta zbatuar?”. Nuk është përtej detit, që të thuhet: “Kush do të shkojë përtej detit, që të na e sjellë e të na e shpallë për ta zbatuar?”. Ja, fjala është fare pranë teje. Është në gojën tënde e në zemrën tënde, që ta zbatosh. Shiko, sot po të parashtroj jetën e të mirën, vdekjen e të keqen. Nëse u bindesh urdhërimeve të ZOTIT, Perëndisë tënd, të cilat t'i urdhërova sot, që ta duash ZOTIN, Perëndinë tënd, ta ndjekësh udhën e tij e t'i mbash urdhërimet, rregullat dhe vendimet e tij, atëherë do të rrosh dhe ZOTI, Perëndia yt, do të të shtojë e do të të bekojë në tokën ku po hyn për ta pushtuar. Nëse nuk bindesh e nuk dëgjon, joshesh, adhuron perëndi të tjerë e u shërben atyre, atëherë sot po të shpall se do të marrësh fund krejt. Nuk do të jetosh gjatë në tokën që po hyn për të pushtuar përtej Jordanit. Qielli e toka qofshin sot dëshmitarë se po ju parashtroj jetën e vdekjen, bekimin e mallkimin. Zgjidh, pra, jetën, që të jetosh ti e pasardhësit e tu. Duaje ZOTIN, Perëndinë tënd, dëgjoje zërin e tij e mbahu fort pas tij, sepse ai është jeta dhe mbushullia e ditëve të tua. Kështu do të banosh në vendin, për të cilin ZOTI iu betua etërve të tu, Abrahamit, Isakut e Jakobit, se do të ta jepte ty».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë