Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ligji i Përtërirë 30:11-20

Ligji i Përtërirë 30:11-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Ky urdhër që po të jap sot nuk është as i pakuptueshëm e as i pakapshëm. Nuk është në qiell, që të thuhet: “Kush do të ngjitet në qiell, që të na e sjellë e të na e shpallë për ta zbatuar?”. Nuk është përtej detit, që të thuhet: “Kush do të shkojë përtej detit, që të na e sjellë e të na e shpallë për ta zbatuar?”. Ja, fjala është fare pranë teje. Është në gojën tënde e në zemrën tënde, që ta zbatosh. Shiko, sot po të parashtroj jetën e të mirën, vdekjen e të keqen. Nëse u bindesh urdhërimeve të ZOTIT, Perëndisë tënd, të cilat t'i urdhërova sot, që ta duash ZOTIN, Perëndinë tënd, ta ndjekësh udhën e tij e t'i mbash urdhërimet, rregullat dhe vendimet e tij, atëherë do të rrosh dhe ZOTI, Perëndia yt, do të të shtojë e do të të bekojë në tokën ku po hyn për ta pushtuar. Nëse nuk bindesh e nuk dëgjon, joshesh, adhuron perëndi të tjerë e u shërben atyre, atëherë sot po të shpall se do të marrësh fund krejt. Nuk do të jetosh gjatë në tokën që po hyn për të pushtuar përtej Jordanit. Qielli e toka qofshin sot dëshmitarë se po ju parashtroj jetën e vdekjen, bekimin e mallkimin. Zgjidh, pra, jetën, që të jetosh ti e pasardhësit e tu. Duaje ZOTIN, Perëndinë tënd, dëgjoje zërin e tij e mbahu fort pas tij, sepse ai është jeta dhe mbushullia e ditëve të tua. Kështu do të banosh në vendin, për të cilin ZOTI iu betua etërve të tu, Abrahamit, Isakut e Jakobit, se do të ta jepte ty».

Ligji i Përtërirë 30:11-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ky urdhërim që të jap sot nuk është shumë i vështirë për ty, as shumë larg teje. Nuk është në qiell, që ti të thuash: "Kush do të ngjitet në qiell që të na e sjellë dhe ta dëgjojmë, me qëllim që ta zbatojmë në praktikë?". Dhe nuk është matanë detit që ti të thuash: "Kush do të kalojë për ne matanë detit që të na e sjellë dhe ta dëgjojmë, në mënyrë që ta zbatojmë në praktikë?". Por fjala është shumë afër teje; është në gojën tënde dhe në zemrën tënde, që ti ta zbatosh në praktikë. Shiko, unë vë sot para teje jetën dhe të mirën, vdekjen dhe të keqen; prandaj unë të urdhëroj ta duash Zotin, Perëndinë tënd, të ecësh në rrugët e tij, të respektosh urdhërimet, statutet dhe dekretet e tij, që ti të jetosh dhe të shumëzohesh; dhe Zoti, Perëndia yt, do të të bekojë në vendin që ti po shkon për ta pushtuar. Por në qoftë se zemra jote shikon gjetiu dhe ti nuk bindesh dhe e lë veten të biesh përmbys para perëndive të tjera dhe t'u shërbesh atyre, unë ju deklaroj sot që me siguri keni për t'u zhdukur, që nuk do t'i zgjatni ditët tuaja në vendin ku po gatiteni të hyni për ta pushtuar, duke kaluar Jordanin. Unë marr sot si dëshmitarë kundër teje qiellin dhe tokën, që unë të kam vënë përpara jetës dhe vdekjes, bekimit dhe mallkimit; zgjidh, pra, jetën që të mund të jetoni ti dhe pasardhësit e tu, dhe të mund ta duash Zotin, Perëndinë tënd, t'i bindesh zërit të tij dhe të qëndrosh i lidhur ngushtë me të, sepse ai është jeta jote dhe gjatësia e ditëve të tua, kështu që ti të mund të jetosh në vendin që Zoti u betua t'u japë etërve të tu: Abrahamit, Isakut dhe Jakobit".

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë