Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ligji i përtërirë 30:1-10

Ligji i përtërirë 30:1-10 AL1

«Kur të bien mbi ty të gjitha këto bekime e mallkime, që po t'i parashtroj, kur të jesh mes kombeve, ku ZOTI, Perëndia yt, do të të degdisë, dhe të bie në mend për to e kthehesh drejt ZOTIT, Perëndisë tënd, ti e fëmijët e tu, e dëgjon zërin e tij me gjithë zemër e shpirt në çdo gjë që unë po të urdhëroj sot, atëherë ZOTI, Perëndia yt, do të ta ndryshojë fatin e do të ketë mëshirë për ty. ZOTI, Perëndia yt, do të të mbledhë nga të gjithë popujt mes të cilëve të shpërndau. Edhe po të jesh degdisur në fund të botës, ZOTI, Perëndia yt, do të të mbledhë e do të të marrë prej andej. ZOTI, Perëndia yt, do të të çojë te vendi që etërit e tu zotëronin e ti do ta pushtosh. Do të të bekojë me mirësi e begati më shumë se etërit e tu. ZOTI, Perëndia yt, do të ta rrethpresë zemrën ty e pasardhësve të tu, që ta duash ZOTIN, Perëndinë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt dhe kështu do të jetosh. Atëherë ZOTI, Perëndia yt, do t'i hedhë këto mallkime mbi armiqtë e mbi kundërshtarët që të përndjekin. Ti do të kthehesh e do ta dëgjosh zërin e ZOTIT. Do t'i zbatosh të gjitha urdhërimet e tij, që unë po të urdhëroj sot. ZOTI, Perëndia yt, do ta begatojë çdo punë tënden, frytin e barkut, të kafshëve e të dheut, sepse ZOTI do të ngazëllehet sërish me ty, siç ngazëllehej me etërit e tu, ngaqë e dëgjove zërin e ZOTIT, Perëndisë tënd, i mbajte urdhërimet dhe rregullat e tij, të shkruara në këtë libër të ligjit, e u ktheve me gjithë zemër e shpirt drejt ZOTIT, Perëndisë tënd.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë