Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ligji i Përtërirë 30:1-10

Ligji i Përtërirë 30:1-10 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

«Kur të bien mbi ty të gjitha këto bekime e mallkime, që po t'i parashtroj, kur të jesh mes kombeve, ku ZOTI, Perëndia yt, do të të degdisë, dhe të bie në mend për to e kthehesh drejt ZOTIT, Perëndisë tënd, ti e fëmijët e tu, e dëgjon zërin e tij me gjithë zemër e shpirt në çdo gjë që unë po të urdhëroj sot, atëherë ZOTI, Perëndia yt, do të ta ndryshojë fatin e do të ketë mëshirë për ty. ZOTI, Perëndia yt, do të të mbledhë nga të gjithë popujt mes të cilëve të shpërndau. Edhe po të jesh degdisur në fund të botës, ZOTI, Perëndia yt, do të të mbledhë e do të të marrë prej andej. ZOTI, Perëndia yt, do të të çojë te vendi që etërit e tu zotëronin e ti do ta pushtosh. Do të të bekojë me mirësi e begati më shumë se etërit e tu. ZOTI, Perëndia yt, do të ta rrethpresë zemrën ty e pasardhësve të tu, që ta duash ZOTIN, Perëndinë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt dhe kështu do të jetosh. Atëherë ZOTI, Perëndia yt, do t'i hedhë këto mallkime mbi armiqtë e mbi kundërshtarët që të përndjekin. Ti do të kthehesh e do ta dëgjosh zërin e ZOTIT. Do t'i zbatosh të gjitha urdhërimet e tij, që unë po të urdhëroj sot. ZOTI, Perëndia yt, do ta begatojë çdo punë tënden, frytin e barkut, të kafshëve e të dheut, sepse ZOTI do të ngazëllehet sërish me ty, siç ngazëllehej me etërit e tu, ngaqë e dëgjove zërin e ZOTIT, Perëndisë tënd, i mbajte urdhërimet dhe rregullat e tij, të shkruara në këtë libër të ligjit, e u ktheve me gjithë zemër e shpirt drejt ZOTIT, Perëndisë tënd.

Ligji i Përtërirë 30:1-10 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

"Kështu, kur të të kenë rënë në kurriz tërë këto gjëra, bekimi dhe mallkimi që unë të kam vënë përpara, dhe ti do t'ua kujtosh të gjitha kombeve në mes të të cilëve Zoti, Perëndia yt, do të të ketë dëbuar, dhe kur të kthehesh tek Zoti, Perëndia yt, dhe t'i bindesh zërit të tij, ti dhe bijtë e tu, me gjithë zemër e më gjithë shpirt, duke respektuar tërë ato që po të urdhëroj sot, Zoti, Perëndia yt, do të të kthejë nga skllavëria, do të ketë mëshirë për ty dhe do të të mbledhë përsëri nga radhët e të gjithë popujve, ndër të cilët Zoti, Perëndia yt, të kishte shpërndarë. Edhe sikur të kesh qenë përzënë në skajin e qiellit, Zoti, Perëndia yt, do të të mbledhë dhe do të marrë që andej. Zoti, Perëndia yt, do të të rikthejë në vendin që etërit e tu kanë zotëruar dhe ti do ta zotërosh atë; dhe ai do të të bëjë të mira dhe do të të shumëzojë më tepër se etërit e tu. Zoti, Perëndia yt, do ta rrethpresë zemrën tënde dhe zemrën e pasardhësve të tu, që ti ta duash Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt, dhe kështu ti të jetosh. Dhe Zoti, Perëndia yt, do t'i lëshojë tërë këto mallkime mbi armiqtë e tu dhe mbi tërë ata që të urrejnë dhe të kanë persekutuar. Ti përkundrazi do të kthehesh dhe do t'i bindesh zërit të Zotit dhe do të zbatosh në praktikë të gjitha urdhërimet që të porosit sot. Zoti, Perëndia yt, do të sjellë shumë mbarësi në gjithë veprën e duarve të tua, në frytin e barkut tënd, në frytin e bagëtisë sate dhe në frytin e tokës sate; sepse Zoti do të kënaqet përsëri duke të të bërë të mirën, ashtu si u kënaq kur ua bëri etërve të tu, sepse do t'i bindesh zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke respektuar urdhërimet dhe statutet e tij që janë shkruar në këtë libër të ligjit, sepse do të jesh rikthyer tek Zoti, Perëndia yt, me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt.