Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ligji i përtërirë 3

3
Mbreti i Bashanit
1«Pastaj u kthyem e shkuam rrugës për në Bashan. Ogu, mbreti i Bashanit, bashkë me gjithë popullin na doli para në Edrej që të ndeshej me ne. 2Atëherë Zoti më tha: “Mos e ki frikë, sepse ta kam dorëzuar me gjithë popullin e tokën e tij. Vepro me të siç veprove me Sihonin, mbretin e amoritëve, që banonte në Heshbon”. 3Zoti, Perëndia ynë, na e dorëzoi edhe Ogun, mbretin e Bashanit, bashkë me popullin e tij. U ramë aq fort sa askush nuk shpëtoi. 4Asokohe i zumë të gjitha qytetet e tij, asnjë nuk na shpëtoi. I zumë të gjashtëdhjetë qytetet dhe mbarë krahinën e Argobit, mbretërinë e Ogut në Bashan. 5Të gjitha këto ishin qytete të fortifikuara me mure të larta, me porta e me shula. Përveç tyre, zumë edhe mjaft vendbanime të parrethuara. 6I shfarosëm të gjitha qytetet bashkë me burrat, gratë e fëmijët, siç bëmë me Sihonin, mbretin e Heshbonit, 7por të gjitha kafshët dhe prenë, që plaçkitëm prej qyteteve, i mbajtëm për vete.
8Asokohe ua morëm tokën të dy mbretërve amoritë, që ishin përtej Jordanit. Ajo shtrihej nga lugina e Arnonit deri te mali i Hermonit. 9Sidonasit e quajnë malin Sirion, ndërsa amoritët Senir. 10Ua morëm të gjitha qytetet e rrafshit, mbarë Gileadin e mbarë Heshbonin, deri në Salkah e në Edrej. Ato ishin qytete të mbretërisë së Ogut, në Bashan. 11Nga refaitët mbeti gjallë vetëm Ogu, mbreti i Bashanit. Shtrati i tij prej hekuri gjendet në Rabah, te amonitët. Ai ishte nëntë kute i gjatë e katër kute i gjerë, sipas njësisë së zakonshme të kutit. 12Tokën që pushtuam asohere ia dhashë Rubenit e Gadit. Ajo fillonte nga Aroeri, që është buzë luginës së Arnonit, deri te gjysma e malit Gilead, përfshirë edhe qytetet përkatëse. 13Gjysmën tjetër të Gileadit, mbarë Bashanin, mbretërinë e Ogut dhe mbarë krahinën e Argobit, që quhej vendi i refaitëve, ia dhashë gjysmës së fisit të Manaseut. 14Jairi, biri i Manaseut, e pushtoi mbarë krahinën e Argobës deri në kufi me Geshurin e Makatin dhe i vuri emrin e vet. Edhe sot e kësaj dite Bashani quhet Havot Jair. 15Makirit i dhashë Gileadin. 16Rubenit e Gadit i dhashë vendin prej Gileadit deri buzë luginës së Arnonit, me kufi që shkojnë nga mesi i luginës së Arnonit deri te lugina e Jabokut, në kufi me amonitët. 17U dhashë edhe Arabahun në kufi me Jordanin, nga Kinereti deri te deti i Arabahut, që është deti i Kripur, nën rrëpirën e Pisgahut në lindje.
18Asokohe ju urdhërova: “Zoti, Perëndia juaj, jua dha këtë tokë për pronë. Të gjithë trimat tuaj të marrin armë e t'u prijnë izraelitëve, vëllezërve tuaj. 19Gratë, fëmijët e bagëtitë, se e di që keni shumë, të rrinë në qytetet që ju dhashë. 20Kur Zoti t'u japë prehje vëllezërve tuaj, siç ju dha juve, kur ta pushtojnë edhe ata tokën përtej Jordanit, që po u jep Zoti, Perëndia juaj, vetëm atëherë secili prej jush do të kthehet te prona e vet, që ju dhashë”. 21Asokohe urdhërova edhe Jozuehun: “I pe me sytë e tu të gjitha ato që u bëri Zoti, Perëndia juaj, këtyre dy mbretërve. Kështu do të veprojë Zoti me të gjitha mbretëritë nëpër të cilat do të kalosh. 22Mos i kini frikë, sepse Zoti, Perëndia juaj, ai vetë lufton për ju”.
Lutja e Moisiut
23Asokohe iu përgjërova Zotit: 24“O Zot, Zoti im, ti fillove t'ia dëftosh shërbëtorit tënd lavdinë dhe krahun tënd të fuqishëm. A ka perëndi tjetër në qiell apo në tokë që mund të bëjë veprat e bëmat e tua? 25Më lër të kaloj e të shoh tokën e mirë përtej Jordanit, këto bjeshkë të bukura dhe Libanin”. 26Por Zoti ishte i zemëruar me mua, për shkakun tuaj. Nuk më dëgjoi e më tha: “Mjaft! Mos m'u lut më për këtë gjë! 27Ngjitu në majë të Pisgahut e vështro drejt perëndimit, veriut, jugut e lindjes. Shikoje vendin, se Jordanin nuk ke për ta kaluar. 28Prandaj, udhëzoje Jozuehun, jepi zemër e guxim, sepse ai do t'i prijë këtij populli përtej Jordanit dhe ai do t'ua ndajë tokën që sheh”. 29Ndërkohë ndenjëm në luginën përballë Betpeorit».

Aktualisht i përzgjedhur:

Ligji i përtërirë 3: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr