Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ligji i përtërirë 28:1-14

Ligji i përtërirë 28:1-14 AL1

«Nëse vërtet e dëgjon zërin e ZOTIT, Perëndisë tënd, dhe i mban e i zbaton të gjitha urdhërimet e tij, që unë po të urdhëroj sot, ZOTI, Perëndia yt, do të të lartësojë mbi çdo komb në tokë. Nëse e dëgjon zërin e ZOTIT, Perëndisë tënd, do të të mbulojnë e do të të përcjellin të gjitha këto bekime: i bekuar do të jesh në qytet e i bekuar në fushë. I bekuar do të jetë fryti i barkut tënd, i dheut e i kafshëve të tua, pjella e qeve dhe të vegjlit e dhenve. E bekuar do të jetë shporta dhe magjja jote. I bekuar do të jesh kur të mbërrish e i bekuar kur të nisesh. ZOTI do t'i mundë armiqtë që ngrihen kundër teje. Nga një rrugë e vetme do të vijnë te ti, por nëpër shtatë rrugë do t'ia mbathin prej teje. ZOTI do ta dërgojë bekimin e tij mbi drithnikët e tu dhe gjithë punët e tua. Ai do të të bekojë në tokën që po të jep ZOTI, Perëndia yt. ZOTI do të të bëjë popullin e tij të shenjtë, siç të premtoi, nëse i mban urdhërimet e ZOTIT, Perëndisë tënd, dhe ecën udhës së tij. Mbarë popujt e tokës do të shohin se thirresh me emrin e ZOTIT e do të të kenë frikë. ZOTI do të ta shtojë mirë frytin e barkut, të kafshëve dhe të dheut, në tokën për të cilën ZOTI iu betua etërve të tu se do të ta jepte ty. ZOTI do të ta hapë visarin e tij të begatshëm, qiellin, për t'i dhënë shiun e duhur tokës tënde e për të bekuar çdo punë të duarve të tua. Do t'u japësh hua shumë kombeve, ndërsa vetë nuk do të marrësh hua. ZOTI do të të vërë në krye e jo në fund, do të ngrihesh vetëm lart e nuk do të biesh poshtë, nëse i dëgjon urdhërimet e ZOTIT, Perëndisë tënd, të cilat unë po të urdhëroj sot, që t'i mbash e t'i zbatosh. Mos u shmang as majtas, as djathtas nga të gjitha fjalët që të urdhërova sot e mos ndiq e mos u shërbe perëndive të tjerë.