Ligji i përtërirë 18
18
Levitët
1«Priftërinjtë levitë, pra, tërë fisi i levitëve, nuk do të kenë pjesë as trashëgimi me Izraelin. Flija e zjarrit për Zotin dhe pjesa e tij do të jenë ushqim për ta. 2Ata nuk do të kenë asnjë pronë mes vëllezërve. Zoti është trashëgimia e tyre, sikurse u tha.
3Kjo është pjesa që u përket priftërinjve nga populli, prej flive që kushtohen, qe apo dhen: priftit do t'i jepen shpatulla, nofullat e mullëza. 4Do t'i japësh frytin tënd të parë të drithit, të verës e të qethjes së dhenve, 5sepse nga gjithë fiset e tua, Zoti, Perëndia yt, e zgjodhi, që të shërbejë përherë në emër të Zotit, ai e bijtë e tij.
6Nëse ndonjë levit dëshiron të ikë nga qyteti ku banon në Izrael, për të shkuar në vendin që do të zgjedhë Zoti, të bëjë kështu sa herë që do. 7Të shërbejë në emër të Zotit, Perëndisë së tij, njësoj si vëllezërit e tij levitë që shërbejnë atje para Zotit. 8Atij do t'i përkasë e njëjta pjesë e ushqimit, pavarësisht shumës së marrë nga shitja e pasurisë që ka familja e tij.
Veprat e neveritshme
9Kur të hysh në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt, mos i mëso veprat e neveritshme të atyre popujve. 10Të mos gjendet mes jush askush që kushton në zjarr birin apo bijën e vet, që merret me shorti, që hedh fall, që ndjek ogur, që bën magji, 11që shiton, që thërret hije e shpirtra e që flet me të vdekurit, 12sepse të gjitha këto janë të neveritshme për Zotin. Për shkak të këtyre veprave të neveritshme, Zoti, Perëndia yt, po t'i zbon këta popuj. 13Ji i përsosur me Zotin, Perëndinë tënd. 14Këta popuj që po pushton dëgjuan falltarë e shortarë, ndërsa ty, Zoti, Perëndia yt, nuk të mësoi kështu.
Profeti
15 Zoti, Perëndia yt, do të nxjerrë nga mesi juaj, nga vëllezërit tuaj, një profet si unë. Atë dëgjoni. 16Kështu i kërkove Zotit, Perëndisë tënd, në Horeb, ditën kur u mblodhët e thatë: “Nuk dua ta dëgjoj më zërin e Zotit, Perëndisë tim, dhe nuk dua ta shoh më këtë zjarr të madh, që të mos vdes”. 17Atëherë Zoti më tha: “Mirë thanë. 18Unë do të nxjerr nga mesi i vëllezërve të tyre një profet si ti. Do t'ia vë fjalët e mia në gojë e ai do t'u thotë çdo gjë që do t'i urdhëroj. 19Kush nuk i dëgjon fjalët e mia, që ai thotë në emrin tim, do të përballet me mua. 20Profeti, që guxon të thotë në emrin tim fjalë, që unë nuk i kam urdhëruar të thotë, apo flet në emër të perëndive të tjerë, do të dënohet me vdekje”. 21Nëse thua me vete: “Si do ta marrim vesh, kur nuk janë fjalët e Zotit?”, 22atëherë do ta dish se nëse fjalët që thotë profeti në emër të Zotit nuk ndodhin, ato nuk ishin prej Zotit. Profeti ka folur me mendjemadhësi, prandaj mos e ki frikë».
Aktualisht i përzgjedhur:
Ligji i përtërirë 18: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020