Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ligji i përtërirë 16

16
Pashka
1«Mbaje muajin Abib e kremto Pashkën e Zotit, Perëndisë tënd, sepse në muajin Abib, Zoti, Perëndia yt, të nxori natën nga Egjipti. 2Kushto dhen e qe si fli Pashke për Zotin, Perëndinë tënd, në vendin që do të zgjedhë Zoti, për të vënë emrin e tij. 3Mos ha bukë të mbrume me flinë e Pashkës. Për shtatë ditë do të hash bukë të ndorme, bukën e mjerimit, sepse dole me ngut nga toka e Egjiptit. Do ta përkujtosh gjatë gjithë jetës tënde ditën kur dole nga toka e Egjiptit. 4Për shtatë ditë të mos gjendet tharm askund në vendin tënd. Mos ruaj për të nesërmen asgjë nga mishi që do të flijosh në mbrëmje. 5Nuk lejohet ta kushtosh flinë e Pashkës në asnjërin nga qytetet që po të jep Zoti, Perëndia yt, 6përveçse në vendin që do të zgjedhë Zoti, Perëndia yt, për të vënë emrin e tij. Atje do ta flijosh Pashkën në mbrëmje, kur të perëndojë dielli, në kohën kur dole nga Egjipti. 7Do ta gatuash e do ta hash në vendin që Zoti, Perëndia yt, do të zgjedhë dhe në mëngjes do të kthehesh në tendat e tua. 8Për gjashtë ditë do të hash bukë të ndorme. Ditën e shtatë do të mbash një mbledhje festive për Zotin, Perëndinë tënd. Atë ditë nuk do të bësh asnjë punë.
Festa e Javëve
9Numëro shtatë javë nga fillimi i të korrave. 10Pastaj kremto festën e Javëve për Zotin, Perëndinë tënd, duke sjellë fli vullnetare, aq sa të ka dhënë Zoti, Perëndia yt. 11Ti, biri yt, bija jote, shërbëtori yt, shërbëtorja jote, leviti, që banon në qytetin tënd, dhe i ardhuri, jetimi e vejusha, që banojnë në vendin tënd, do të kremtojnë para Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që do të zgjedhë Zoti, Perëndia yt, për të vënë emrin e tij. 12Mos harro se edhe ti ishe skllav në Egjipt. Mbaji e zbatoji këto rregulla.
Festa e Kasolleve
13Kur të mbledhësh prodhimin e lëmit e të torkut, kremto për shtatë ditë festën e Kasolleve. 14Ti, birit yt, bija jote, shërbëtori yt, shërbëtorja jote, leviti, i ardhuri, jetimi e vejusha, që banojnë në qytetit tënd, do të kremtojnë e festojnë. 15Për shtatë ditë do të festosh për Zotin, Perëndinë tënd, në vendin që do të zgjedhë Zoti. Do të festosh plot gëzim, sepse Zoti, Perëndia yt, do t'i bekojë të gjitha prodhimet e veprat e duarve të tua.
16Tri herë në vit të gjithë meshkujt e tu do të paraqiten para Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që ai do të zgjedhë, për festën e të Ndormeve, për festën e Javëve dhe për festën e Kasolleve. Askush të mos dalë para Zotit duarzbrazur, 17por të sjellë aq sa i ka dhënë Zoti, Perëndia yt.
Gjykatësit
18Cakto gjykatës e mbikëqyrës në çdo qytet që Zoti, Perëndia yt, po të jep sipas fiseve, që ta gjykojnë popullin me drejtësi. 19Mos e shtrembëro drejtësinë e mos mbaj anë. Mos merr mitë, sepse mita i verbon sytë e të urtëve e i shtrembëron fjalët e të drejtëve. 20Drejtësinë dhe vetëm drejtësinë do të ndjekësh, që të jetosh e ta pushtosh tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt.
Idhujtaria
21Mos mbill pemë si shtylla Asheraje përbri altarit që do të ndërtosh për Zotin, Perëndinë tënd. 22Mos ngri përmendore që Zoti, Perëndia yt, urren».

Aktualisht i përzgjedhur:

Ligji i përtërirë 16: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë