Ligji i përtërirë 14
14
Kundër dokeve idhujtare
1«Jeni bijtë e Zotit, Perëndisë tuaj, prandaj kur vajtoni të vdekurin mos e çirrni veten e as mos i rruani flokët sipër ballit. 2Ti je një popull i shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd. Ndër të gjithë popujt e faqes së dheut, Zoti të zgjodhi ty, që të jesh populli i tij i çmuar.
Ushqimet e pastra dhe të papastra
3Mos hani asgjë të papastër. 4Mund të hani këto kafshë: kaun, delen, dhinë, 5drerin, gazelën, kaprollin, dhinë e egër, cjapin e maleve, antilopën e dhinë e maleve. 6Mund të hani çdo kafshë dythundrake që ripërtypet. 7Megjithatë, ndër ato që ripërtypen, ose që janë dythundrake, mos hani devenë, lepurin e baldosën, sepse edhe pse ripërtypen, nuk janë dythundrake. Ato do të jenë të papastra për ju. 8Edhe derri do të jetë i papastër për ju, sepse edhe pse është dythundrak, nuk ripërtypet. Mos ia hani mishin e mos ia prekni kufomën.
9Nga të gjitha kafshët e detit mund të hani çdo gjë që ka pendë e luspa. 10Mos hani asgjë gjë që nuk ka pendë e luspa. Ato do të jenë të papastra për ju.
11Mund të hani çdo shpend të pastër. 12Prej tyre mos hani shqiponjën, hutën, fajkoin, 13qiftin, çdo lloj skifteri, 14çdo lloj korbi, 15strucin, kukuvajkën, pulëbardhën, çdo lloj fajkoi, 16hutën, bufin, zhytrën, 17pelikanin, kërmëngrënësin, karabullakun, 18lejlekun, çdo lloj çafke, pupëzën dhe lakuriqin e natës. 19Çdo insekt fluturues do të jetë i papastër për ju. Mos i hani. 20Mund të hani çdo fluturak të pastër.
21Mos e hani mishin e kafshëve të ngordhura. Mund t'ia jepni për ta ngrënë të ardhurit, që banon në qytetet tuaja, ose mund t'ia shisni të huajit. Ti je një popull i shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd. Mos e ziej kecin me qumështin e së ëmës.
Të dhjetat
22Kushto të dhjetën e gjithë prodhimeve vjetore nga arat e mbjella. 23Haje të dhjetën e drithit, të verës së re, të vajit dhe të parëlindurin e dhenve e të qeve në prani të Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që ai do të zgjedhë për të vënë emrin e tij, që të mësosh ta druash përherë Zotin, Perëndinë tënd. 24Nëse nuk i çon dot të dhjetat, sepse rruga për te vendi, që Zoti do të zgjedhë për të vënë emrin e tij, është tepër larg dhe sepse Zoti, Perëndia yt, të ka bekuar shumë, 25atëherë këmbeji ato në para. Shko me para në dorë në vendin që do të zgjedhë Zoti, Perëndia yt, 26e aty blej çfarë të duash, dhen, qe, verë, pije të forta e çdo gjë që ta ka ënda. Pastaj ha e festo bashkë me familjen tënde në prani të Zotit, Perëndisë tënd. 27Mos e harroni levitin që banon në qytetet tuaja, sepse ai nuk ka as pjesë e as trashëgimi mes jush.
28Në fund të çdo viti të tretë sille të dhjetën e tërë prodhimeve të atij viti në hyrje të qytetit. 29Atëherë të vijë leviti, që nuk ka as pjesë e as trashëgimi mes jush, i ardhuri, jetimi dhe e veja, që banojnë në qytet, e të hanë e të ngopen. Kështu, Zoti, Perëndia yt, do të bekojë çdo vepër të duarve të tua».
Aktualisht i përzgjedhur:
Ligji i përtërirë 14: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020