Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ligji i përtërirë 11

11
Duaje Zotin
1«Duaje Zotin, Perëndinë tënd, mbaji gjithmonë urdhrat, rregullat, vendimet dhe urdhërimet e tij. 2Dijeni pra, se jo fëmijët tuaj, por ju i njohët e i patë sprovat e Zotit, Perëndisë tuaj, madhështinë e tij, dorën e tij të fortë, krahun e tij të fuqishëm, 3shenjat dhe veprat e tij, që bëri në mes të Egjiptit, që ia bëri faraonit, mbretit të Egjiptit, gjithë tokës së tij, 4ushtrisë egjiptiane me kuaj e kalorës. Ju patë si i mbuloi me ujërat e detit të Kuq, kur po ju ndiqnin, e si Zoti i shkatërroi një herë e mirë. 5Ju patë atë që ju bëri në shkretëtirë derisa mbërritët në këtë vend, 6se çfarë i bëri Datanit, Abiramit, bijve të Eliabit, birit të Rubenit, sesi toka e hapi gojën e i përpiu me shtëpi e katandi, në mes të tërë Izraelit. 7Me sytë tuaj i patë të gjitha veprat e mëdha që bëri Zoti.
8Mbaji, pra, të gjitha urdhërimet që po ju jap sot, që të jeni të fortë për të zotëruar tokën në të cilën po hyni për ta pushtuar, 9e që të jetoni gjatë në vendin, për të cilin Zoti iu betua etërve tuaj dhe pasardhësve të tyre për t'ua dhënë, një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë. 10Toka në të cilën po hyni për ta pushtuar nuk është si toka e Egjiptit, prej nga dolët. Atje, farën e mbjellë duhej ta ujitje vetë, sikurse ujit perimet e kopshtit. 11Ndërsa toka në të cilën po hyni për ta pushtuar është një vend me male e lugina që ujiten nga shiu i qiellit. 12Zoti, Perëndia yt, kujdeset për të. Sytë e Zotit, Perëndisë tënd, janë mbi të që nga fillimi e deri në fund të vitit.
13Nëse i mbani me të vërtetë urdhërimet, që po ju jap sot, për ta dashur Zotin, Perëndinë tuaj, e për t'i shërbyer me gjithë zemër e shpirt, 14ai do t'i japë tokës suaj shiun e duhur, shiun e vjeshtës e shiun e pranverës e ju do të mblidhni drithin, mushtin e vajin tuaj. 15Do t'i bëjë fushat të gjelbërojnë për kafshët tuaja e ju do të hani e ngiheni. 16Se mos ju gënjen mendja e largoheni dhe u shërbeni e adhuroni perëndi të tjerë! 17Përndryshe, zemërimi i Zotit do të ndizet kundër jush. Do të ta ndryjë qiellin që të mos ketë shi. Toka nuk do të japë fryt e ju do të zhbiheni menjëherë prej tokës së mirë që po ju jep Zoti.
18Rrënjosini këto fjalë në zemër e në shpirt. Lidhini si shenjë në dorë e si shirita në ballë. 19Mësojuani fëmijëve e fol për to kur të rrish ulur në shtëpi ose kur të ecësh udhës, kur të biesh në shtrojë ose kur të ngrihesh prej saj. 20Shkruaji mbi shtalkat e shtëpive e mbi portat tuaja, 21që ju e fëmijët tuaj të jetoni në tokën për të cilën Zoti iu betua t'u jepte etërve tuaj, për aq sa qielli është përmbi tokë.
22Nëse i mbani me të vërtetë të gjitha këto urdhërime, që po ju urdhëroj t'i zbatoni, nëse e doni Zotin, Perëndinë tuaj, duke ecur në të gjitha udhët e tij e duke u mbajtur fort pas tij, atëherë 23Zoti do t'i zbojë para jush tërë këto kombe e ju do të pushtoni kombe më të mëdha e më të fortë se vetja. 24Çdo vend që do të shkelë shputa e këmbës suaj do t'ju përkasë juve. Kufijtë tuaj do të shtrihen nga shkretëtira deri në Liban e nga lumi Eufrat deri në detin perëndimor. 25Askush nuk do t'ju bëjë dot ballë. Zoti, Perëndia juaj, do të bëjë të kenë frikë e tmerr prej jush të gjitha vendet që do të shkelni, siç edhe ju tha.
26Ja, sot po ju vë përpara bekimin e mallkimin: 27bekimin, nëse i dëgjoni urdhërimet e Zotit, Perëndisë tuaj, që po ju urdhëroj sot; 28mallkimin, nëse nuk i dëgjoni urdhërimet e Zotit, Perëndisë tuaj, e largoheni nga udha që po ju urdhëroj sot, për të ndjekur perëndi të tjerë që nuk i njihni.
29Kur Zoti, Perëndia yt, të të çojë në tokën që po hyn për ta pushtuar, shpalle bekimin mbi malin Gerizim, ndërsa mallkimin mbi malin Ebal. 30Këta janë përtej Jordanit, në perëndim të udhës, në tokën e kananitëve që banojnë në Arabah, kundruall Gilgalit, buzë lisave të Morehut.
31Kur të kaloni përtej Jordanit e të hyni për të pushtuar tokën që po ju jep Zoti, Perëndia juaj, kur ta zotëroni e të jetoni në të, 32kini kujdes e mbajini të gjitha rregullat e vendimet që po ju parashtroj sot».

Aktualisht i përzgjedhur:

Ligji i përtërirë 11: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë