Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Danieli (Gr) 7

7
Vegimi i katër bishave
1Në vitin e parë të Belshacarit, mbretit të Babilonisë, Danieli pa një ëndërr dhe një vegim në mendjen e tij, teksa ishte në shtrat. Mandej ai e shkroi ëndrrën dhe thelbin e saj. 2Danieli tregoi e tha: «Po shikoja një vegim natën, kur ja, katër erërat e qiellit po trazonin detin e madh 3dhe katër bisha të mëdha dolën prej detit. Bishat ishin të ndryshme nga njëra-tjetra. 4E para ngjante me luanin, por kishte krahë si të shqiponjës. Teksa po e vështroja, krahët iu këputën. Mandej u ngrit nga toka, qëndroi në dy këmbë si njeri e iu dha një zemër njeriu. 5Pastaj ia behu një bishë tjetër, bisha e dytë, që ngjante me ariun. Bisha ishte ngritur në njërin krah dhe në gojë kishte tri brinjë që i mbante ndër dhëmbë. Asaj iu dha ky urdhër: “Ngrihu e ha shumë mish!”. 6Ende po vështroja, kur ia behu një bishë tjetër që ngjante me leopardin. Bisha kishte katër krahë shpendi mbi kurriz dhe katër kokë. Asaj iu dha pushteti për të sunduar. 7Teksa ende po vështroja në vegime natën, ia behu një bishë e katërt, e tmerrshme dhe e frikshme, shumë e fuqishme e me dhëmbë të mëdhenj hekuri. Hante e thërrmonte. Ç'ngelte e shtypte me këmbë. Kjo bishë ishte ndryshe nga të gjitha bishat e mëparshme dhe kishte dhjetë brirë. 8Po i vështroja brirët, kur, mes brirëve, i mbiu një bri tjetër i vogël. Tre nga brirët e mëparshëm u shkulën prej tij. Ky bri kishte sy si të njeriut dhe gojë që fliste fjalë madhështore».
I Lashti i Ditëve
9Po vështroja sërish, kur, ja, u vendos një fron dhe i Lashti i Ditëve u ul mbi të.
Rrobat e tij të bardha si dëbora,
flokët e kokës si leshi i pastër.
Froni i tij porsi flakët e zjarrit,
me rrota si zjarri përvëlues.
10Një lumë zjarri derdhej,
prej pranisë së tij buronte.
Mijëra e mijëra njerëz i shërbenin,
miliarda e miliarda para tij qëndronin.
Nisi gjyqi,
librat u hapën.
11Pashë se prej tingullit të fjalëve madhështore, që fliste briri, bisha u shkatërrua dhe pashë se kufoma e saj u copëtua e u hodh për t'u djegur në zjarr. 12Bishave të tjera iu hoq pushteti, por iu lejua ta zgjatnin jetën edhe për një kohë të caktuar.
13Po shikoja vegim natën dhe ja,
bashkë me retë e qiellit po vinte
dikush që ngjante me Bir njeriu.
Arriti deri tek i Lashti i Ditëve,
para tij e paraqitën.
14Atij iu dha pushteti,
lavdia e mbretëria,
mbarë popujt, kombet e gjuhët
atij do t'i shërbejnë.
Sundimi i tij i amshuar do të jetë
e fund nuk do të ketë,
mbretëria e tij
nuk do të shkatërrohet kurrë.
Shpjegimi i vegimit
15Mua, Danielit, m'u trazua shpirti përbrenda dhe vegimet që pashë në mendjen time, më futën tmerrin. 16Atëherë iu afrova njërit prej atyre që qëndronin atje dhe e pyeta për kuptimin e vërtetë të gjithë këtyre gjërave. Ai m'u përgjigj e më dha shpjegimin e këtyre gjërave: 17«Këto katër bishat e mëdha janë katër mbretër që do të dalin nga toka. 18Por, mandej mbretërinë do ta marrin të shenjtët e të Tejlartit dhe do ta mbajnë përherë e deri në amshim».
19Pastaj doja të mësoja të vërtetën për bishën e katërt, e cila ishte ndryshe nga të gjitha të tjerat. Ajo ishte më e tmerrshmja, me dhëmbë prej hekuri e kthetra prej bronzi. Gëlltiste, thërrmonte e ç'të mbetej e shkelte me këmbë. 20Doja të dija edhe për dhjetë brirët që kishte në kokë dhe për bririn tjetër që i mbiu e që shkuli tre nga brirët e mëparshëm. Ky bri kishte sy e gojë që fliste fjalë madhështore. Nga pamja dukej më i madh se të tjerët. 21Teksa vështroja, ai bri luftonte kundër të shenjtëve dhe po fitonte, 22derisa mbërriti i Lashti i Ditëve. Ai u dha të drejtën të shenjtëve të të Tejlartit e mandej erdhi koha kur të shenjtët morën si trashëgimi mbretërinë.
23Ai më tha kështu:
«Bisha e katërt
do të jetë mbretëria e katërt mbi tokë
dhe ndryshe nga mbretëritë e tjetra.
Gjithë tokën do ta gllabërojë,
do ta shtypë e do ta thërrmojë.
24Dhjetë brirët janë dhjetë mbretër
që prej kësaj mbretërie do të dalin.
Por pas tyre, do të dalë një mbret tjetër,
i ndryshëm nga mbretërit e parë,
e tre mbretër do të rrëzojë.
25Fjalë kundër të Tejlartit do të shqiptojë,
të shenjtët e tij do t'i përndjekë.
Do të përpiqet të ndryshojë të kremtet dhe ligjin
e në dorën e tij për një farë kohe do të bien,
për disa kohë e për një gjysmë kohe.
26Mandej do t'i bëhet gjyqi
dhe sundimi do t'i hiqet.
Ai vetë do të zhbihet,
përgjithmonë do të shfaroset.
27Popullit të shenjtë të të Tejlartit iu dha
mbretërimi, pushteti e madhështia
i të gjitha mbretërive nën qiellin mbarë.
Mbretëria e tij do të jetë mbretëri e amshuar
dhe të gjithë sunduesit atij do t'i shërbejnë
e atij do t'i binden».
28Këtu merr fund tregimi i vegimit. Mua, Danielin, mendimet më munduan shumë, fytyra m'u err, por këto gjëra i ruajta në zemrën time.

Aktualisht i përzgjedhur:

Danieli (Gr) 7: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr