Danieli (Gr) 1
1
Në pallatin e mbretit të Babilonisë
65 Në vitin e tretë të mbretërimit të Jehojakimit, mbretit të Judës, Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, erdhi e rrethoi Jerusalemin. 66 Atëherë Zoti i dorëzoi atij Jehojakimin, mbretin e Judës, bashkë me një pjesë të sendeve të tempullit të Perëndisë. Nabukodonosori i solli robërit në tokën e Shinarit, në vendin ku ishte tempulli i perëndisë së tij, ndërsa sendet i vuri në thesarin e perëndisë së tij. 67 Ai urdhëroi Ashpenazin, kreun e zyrtarëve të tij, që t'i sillnin disa djem me prejardhje mbretërore apo me prejardhje fisnike, 68 të rinj pa asnjë të metë, të pashëm, të mençur e plot urti, të zgjuar, të ditur e të aftë për të shërbyer në pallatin mbretëror, dhe t'u mësonin shkrimin dhe gjuhën e kaldenjve. 69 Mbreti kishte urdhëruar që çdo ditë t'u jepnin nga gjellët e shijshme të mbretit dhe nga vera që pinte ai vetë e t'i edukonin për tri vjet, pas të cilëve ata do të hynin në shërbim të mbretit. 70 Mes tyre ishin edhe Danieli, Hananiahu, Mishaeli dhe Azarjahu, prej fisit të Judës. 71 Kreu i zyrtarëve u vuri atyre emra të tjerë. Danielin e quajti Belteshacar, Hananiahun Shadrak, Mishaelin Meshak e Azarjahun Abed Nego.
72 Danieli vendosi me gjithë zemër të mos përlyhej me gjellët, me verën e me pijet e mbretit. Kështu, ai i kërkoi kreut të zyrtarëve që të mos përlyhej. 73 Perëndia bëri që Danieli të gjente hir e dhembshuri para kreut të zyrtarëve. 74 Por ai i tha Danielit: «Kam frikë nga zotëria im, mbreti. Ai e caktoi vetë çfarë do të hani e çfarë do të pini. Po të shohë se jeni më të hequr në fytyrë se djelmoshat e tjerë të moshës suaj, do të më vini kokën në rrezik para mbretit». 75 Atëherë Danieli i tha rojtarit, që kreu i zyrtarëve kishte caktuar për vetë Danielin, për Hananiahun, Mishaelin e Azarjahun: 76 «Vëri në provë, të lutem, shërbëtorët e tu për dhjetë ditë. Le të na japin perime për të ngrënë e ujë për të pirë. 77 Pastaj krahaso pamjen tonë me pamjen e djelmoshave që hanë nga gjellët e mbretit. Atëherë vepro me shërbëtorët e tu sipas asaj që do të shohësh». 78 Rojtari e pranoi kërkesën e tyre dhe i vuri në provë për dhjetë ditë. 79 Si kaluan të dhjetë ditët, pamja e tyre dukej më e bukur e më e shëndetshme sesa pamja e të gjithë djelmoshave që kishin ngrënë nga gjellët e mbretit. 80 Kështu, rojtari ua hoqi gjellët, verën e pijet dhe u dha perime.
81 Perëndia u dha këtyre katër djelmoshave dije e mençuri për të kuptuar çdo shkrim e urti. Danielit i dha edhe aftësinë për të kuptuar vegime e ëndrra. 82 Kur mbaruan ditët e caktuara prej mbretit për t'i paraqitur para tij, kreu i zyrtarëve i solli para Nabukodonosorit. 83 Mbreti bisedoi me ta, por, mes gjithë djelmoshave, nuk gjeti asnjë si Danieli, Hananiahu, Mishaeli e Azarjahu. Kështu, ata u vunë në shërbim të mbretit. 84 Sa herë që kërkonte mendim për ndonjë çështje urtie a diturie, mbreti pa se ata ishin dhjetë herë më të aftë se të gjithë magjistarët dhe shortarët e mbarë mbretërisë së tij. 85 Danieli qëndroi në shërbim të mbretit deri në vitin e parë të mbretërimit të Kirit.
Aktualisht i përzgjedhur:
Danieli (Gr) 1: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020