Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Danieli (Gr) 13

13
Beli dhe dragoi
1Kur mbreti Astiag u bashkua me etërit e tij, mbretërinë e mori në dorë Kiri i persëve. 2Danieli ishte afër mbretit dhe dallonte mbi të gjithë miqtë e tij. 3Babilonasit kishin një idhull me emrin Bel, të cilit i kushtonin çdo ditë pesëqind kilogramë nga mielli më i mirë, dyzet kokë dhen e gjashtë masa verë. 4Mbreti e nderonte këtë idhull, prandaj shkonte dhe e adhuronte çdo ditë, ndërsa Danieli i lutej Perëndisë së vet. 5Mbreti i tha Danielit: «Pse nuk adhuron Belin?». Danieli u përgjigj: «Sepse nuk adhuroj idhujt e bërë me dorë, por Perëndinë e gjallë, krijuesin e qiellit e të dheut, që sundon mbi çdo njeri». 6Mbreti i tha: «A nuk të duket se Beli është perëndi i gjallë? A nuk e sheh sa ha e pi çdo ditë?». 7Danieli i tha duke qeshur: «Mos u mashtro, o mbret. Ky perëndi është nga brenda prej balte e nga jashtë prej bakri. As ka pirë e as ka ngrënë kurrë ndonjë gjë». 8Mbreti u zemërua, thirri priftërinjtë e tij e u tha: «Po nuk më thatë se kush i ha gjithë këto ushqime, keni për të vdekur! Po vërtetuat se i ha Beli, do të vdesë Danieli, sepse blasfemoi kundër Belit». 9Danieli i tha mbretit: «Ashtu le të bëhet». Priftërinjtë e Belit ishin shtatëdhjetë në numër, përveç grave e fëmijëve.
10Mbreti e Danieli hynë në tempullin e Belit. 11Priftërinjtë e Belit thanë: «Ne po dalim jashtë, kurse ti, o mbret, vendos ushqimet e shërbe verën, pastaj mbyll derën dhe vulose me unazën tënde. Kur të hysh në mëngjes, po nuk i gjete të gjitha të ngrëna nga Beli, le të vdesim ne, përndryshe të vdesë Danieli që shpifi kundër nesh». 12Ata nuk i trembeshin vdekjes, se kishin hapur nën tryezë një hyrje të fshehtë, prej ku hynin vazhdimisht e hanin ushqimet. 13Ata dolën dhe mbreti i vuri ushqimet para Belit. 14Danieli urdhëroi shërbëtorët e tij të sillnin hi dhe ta shpërndanin nëpër gjithë tempullin në prani të mbretit. Pastaj dolën, mbyllën portën, e vulosën me unazën mbretit dhe u larguan 15Priftërinjtë erdhën natën, me gra e fëmijë, dhe hëngrën e pinë gjithçka siç e kishin zakon. 16Mbreti dhe Danieli u çuan herët në mëngjes. 17Mbreti pyeti: «A janë të paprekura vulat, Daniel?». Danieli u përgjigj: «Të paprekura janë, o mbret». 18Sapo u hap porta, mbreti pa tryezën dhe thirri me zë të lartë: «I madh je, o Bel, e në ty nuk gjendet asnjë mashtrim». 19Danieli qeshi, e mbajti mbretin, që të mos hynte brenda, e tha: «Shikoje pak dyshemenë e më thuaj të kujt janë këto gjurmë». 20Mbreti tha: «Shoh gjurmë burrash, grash dhe fëmijësh». 21Atëherë mbreti u zemërua dhe kapi priftërinjtë, gratë e fëmijët e tyre, që i treguan derën e fshehtë nga hynin e hanin gjithçka ndodhej mbi tryezë. 22Mbreti i vrau ata dhe Belin ia dorëzoi Danielit. Ai e shkatërroi atë dhe tempullin e tij.
Danieli mposht dragoin
23Babilonasit nderonin një dragua të madh. 24Mbreti i tha Danielit: «Nuk mund ta mohosh se ky është perëndi i gjallë, adhuroje pra». 25Danieli u përgjigj: «Zotin, Perëndinë tim adhuroj, se ai është Perëndia i gjallë. Ti, o mbret, jepmë leje, dhe unë do ta vras dragoin pa shpatë e pa shkop». 26Mbreti tha: «Po të lejoj». 27Danieli mori zift, dhjamë e lesh, i zieu bashkë, bëri një përzierje e ia dha dragoit. Dragoi e hëngri e plasi. Pastaj Danieli tha: «Shihni çfarë nderoni!». 28Kur e morën vesh këtë babilonasit, u zemëruan shumë dhe u ngritën kundër mbretit e thanë: «Mbreti u bë jude. Shkatërroi Belin, vrau dragoin e theri priftërinjtë». 29Shkuan te mbreti e i thanë: «Na dorëzo Danielin, ndryshe të vrasim ty dhe shtëpinë tënde!». 30Kur mbreti pa se po e kërcënonin, u detyrua t'ua dorëzonte Danielin. 31Ata e hodhën në gropën e luanëve dhe e lanë atje gjashtë ditë. 32Në gropë ndodheshin shtatë luanë, të cilëve çdo ditë u hidhnin për të ngrënë dy njerëz e dy dele, por ato ditë nuk u hodhën asgjë, që të hanin Danielin.
33Në Jude ndodhej profeti Habakuk. Ai kishte gatuar një gjellë, kishte thërrmuar bukë në një enë e po ua çonte korrësve në arë. 34Një engjëll i Zotit i tha Habakukut: «Gjellën çoja Danielit në Babiloni, në gropën e luanëve». 35Habakuku i tha: «Imzot, s'e kam parë ndonjëherë Babiloninë dhe nuk e di ku është gropa». 36Engjëlli i Zotit e kapi nga koka, e mbërtheu për flokësh dhe e çoi në Babiloni përmbi gropë me shpejtësinë e erës. 37Atëherë Habakuku thirri: «Daniel, Daniel! Merre këtë gjellë se ta dërgon Perëndia». 38Danieli tha: «U kujtove për mua, o Perëndi. Ti nuk i braktis ata që të duan». 39Pastaj Danieli u ngrit dhe hëngri. Engjëlli i Perëndisë e ktheu Habakukun në shtëpinë e vet.
40Mbreti erdhi te gropa ditën e shtatë për ta vajtuar Danielin. U afrua, vështroi, dhe, ja, Danieli rrinte ulur. 41Ai thirri me zë të lartë e tha: «I madh je, o Zot, Perëndia i Danielit, dhe nuk ka tjetër si ti!». 42Atëherë e nxori Danielin nga gropa, ndërsa ata që kishin kërkuar vdekjen e tij, i hodhi në gropë. Luanët i shqyen para tij.

Aktualisht i përzgjedhur:

Danieli (Gr) 13: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr