Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat 9:26-43

Veprat 9:26-43 AL1

Kur arriti në Jerusalem, ai u përpoq të bashkohej me dishepujt, por të gjithë kishin frikë prej tij, se nuk besonin që ai ishte dishepull. Megjithatë, Barnaba e mori, e solli te apostujt dhe u tregoi sesi Sauli gjatë udhëtimit kishte parë Zotin, i cili i kishte folur, e sesi Sauli kishte predikuar me guxim në Damask në emrin e Jezuit. Atëherë Sauli ndenji me apostujt dhe hynte e dilte nga Jerusalemi, duke predikuar me guxim në emër të Zotit. Ai fliste e diskutonte me judenjtë greqishtfolës, por ata përpiqeshin ta vrisnin. Kur vëllezërit e morën vesh këtë gjë, e çuan Saulin në Cezare dhe që andej e dërguan në Tars. Ndërkohë, në të gjithë Judenë, Galilenë e Samarinë, kisha kishte paqe dhe përparonte duke jetuar me druajtjen e Zotit e rritej me ngushëllimin e Shpirtit të shenjtë. Ndërsa Pjetri po përshkonte gjithë krahinat përreth, shkoi edhe te të shenjtët që jetonin në Lidë. Atje gjeti një njeri me emrin Enea, i cili kishte tetë vjet që dergjej në shtrat, i paralizuar. Atëherë Pjetri i tha: «Enea, Jezu Krishti po të shëron. Ngrihu e rregulloje shtratin!». Ai u ngrit menjëherë. Të gjithë banorët e Lidës e të Sharonit e panë këtë e u kthyen te Zoti. Në Jopë jetonte një dishepulle me emrin Tabita, që e përkthyer do të thotë Gazelë. Ajo bënte shumë vepra të mira e jepte shumë lëmoshë. Ato ditë ajo u sëmur e vdiq. Pasi e lanë me ujë, e vendosën në dhomën e sipërme. Lida ishte afër Jopës dhe dishepujt, kur dëgjuan se Pjetri ishte aty, dërguan tek ai dy burra me këtë lutje: «Eja te ne pa vonesë». Atëherë Pjetri u ngrit e shkoi me ta. Kur arriti, e çuan te dhoma e sipërme. Të gjitha vejushat iu afruan duke qarë e duke i treguar tunikat e rrobat e tjera që kishte bërë Gazela kur kishte qenë gjallë. Pjetri i nxori të gjithë përjashta dhe ra në gjunjë e u lut. Pastaj iu drejtua të vdekurës e tha: «Tabita, ngrihu!». Atëherë ajo hapi sytë, pa Pjetrin dhe u ngrit ndenjur. Pjetri i dha dorën dhe e ngriti në këmbë. Pastaj thirri të shenjtët dhe vejushat dhe ua tregoi Tabitën gjallë. E gjithë Jopa e mori vesh këtë gjë e shumë veta besuan në Zotin. Ndërkohë Pjetri qëndroi në Jopë për pak kohë me njëfarë Simoni që ishte lëkurëpunues.

Devocione dhe Plane Leximi falas për Veprat 9:26-43