Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat e Apostujve 9:26-43

Veprat e Apostujve 9:26-43 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Kur arriti në Jerusalem, ai u përpoq të bashkohej me dishepujt, por të gjithë kishin frikë prej tij, se nuk besonin që ai ishte dishepull. Megjithatë, Barnaba e mori, e solli te apostujt dhe u tregoi sesi Sauli gjatë udhëtimit kishte parë Zotin, i cili i kishte folur, e sesi Sauli kishte predikuar me guxim në Damask në emrin e Jezuit. Atëherë Sauli ndenji me apostujt dhe hynte e dilte nga Jerusalemi, duke predikuar me guxim në emër të Zotit. Ai fliste e diskutonte me judenjtë greqishtfolës, por ata përpiqeshin ta vrisnin. Kur vëllezërit e morën vesh këtë gjë, e çuan Saulin në Cezare dhe që andej e dërguan në Tars. Ndërkohë, në të gjithë Judenë, Galilenë e Samarinë, kisha kishte paqe dhe përparonte duke jetuar me druajtjen e Zotit e rritej me ngushëllimin e Shpirtit të shenjtë. Ndërsa Pjetri po përshkonte gjithë krahinat përreth, shkoi edhe te të shenjtët që jetonin në Lidë. Atje gjeti një njeri me emrin Enea, i cili kishte tetë vjet që dergjej në shtrat, i paralizuar. Atëherë Pjetri i tha: «Enea, Jezu Krishti po të shëron. Ngrihu e rregulloje shtratin!». Ai u ngrit menjëherë. Të gjithë banorët e Lidës e të Sharonit e panë këtë e u kthyen te Zoti. Në Jopë jetonte një dishepulle me emrin Tabita, që e përkthyer do të thotë Gazelë. Ajo bënte shumë vepra të mira e jepte shumë lëmoshë. Ato ditë ajo u sëmur e vdiq. Pasi e lanë me ujë, e vendosën në dhomën e sipërme. Lida ishte afër Jopës dhe dishepujt, kur dëgjuan se Pjetri ishte aty, dërguan tek ai dy burra me këtë lutje: «Eja te ne pa vonesë». Atëherë Pjetri u ngrit e shkoi me ta. Kur arriti, e çuan te dhoma e sipërme. Të gjitha vejushat iu afruan duke qarë e duke i treguar tunikat e rrobat e tjera që kishte bërë Gazela kur kishte qenë gjallë. Pjetri i nxori të gjithë përjashta dhe ra në gjunjë e u lut. Pastaj iu drejtua të vdekurës e tha: «Tabita, ngrihu!». Atëherë ajo hapi sytë, pa Pjetrin dhe u ngrit ndenjur. Pjetri i dha dorën dhe e ngriti në këmbë. Pastaj thirri të shenjtët dhe vejushat dhe ua tregoi Tabitën gjallë. E gjithë Jopa e mori vesh këtë gjë e shumë veta besuan në Zotin. Ndërkohë Pjetri qëndroi në Jopë për pak kohë me njëfarë Simoni që ishte lëkurëpunues.

Veprat e Apostujve 9:26-43 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Si arriti në Jeruzalem, Sauli u përpoq të bashkohej me dishepujt, por të gjithë kishin frikë nga ai, sepse nuk mund të besonin se ai ishte dishepull. Atëherë Barnaba e mori dhe e çoi tek apostujt, dhe u tregoi se si ai, gjatë udhëtimit, e kishte parë Zotin që i kishte folur, dhe si kishte folur në Damask lirshëm në emër të Jezusit. Kështu ai qëndroi me ta në Jeruzalem, dhe shkonte e vinte, dhe fliste lirshëm në emër të Zotit Jezus. Ai u fliste dhe diskutonte me helenistët, por ata kërkonin ta vrisnin. Por vëllezërit, kur e morën vesh, e çuan në Cezare dhe që andej e nisën për në Tars. Kështu në mbarë Judenë, në Galile dhe në Samari kishat kishin paqe dhe ndërtoheshin. Dhe duke ecur në druajtjen e Zotit dhe në ngushëllimin e Frymës së Shenjtë, shumoheshin. Por ndodhi që, ndërsa Pjetri po e përshkonte gjithë vendin, erdhi edhe te shenjtorët që banonin në Lida. Aty ai gjeti një njeri me emër Enea, i cili tashmë prej tetë vjetësh dergjej në shtrat, sepse ishte i paralizuar. Pjetri i tha: ''Enea, Jezusi, Krishti, të shëron; çohu dhe ndreqe shtratin''. Dhe ai u ngrit menjëherë. Dhe të gjithë banorët e Lidës dhe të Saronit e panë dhe u kthyen te Zoti. Por në Jopë ishte një dishepull me emër Tabitha, që do të thotë Gazelë; ajo bënte shumë vepra të mira dhe jepte shumë lëmoshë. Por në ato ditë ndodhi që ajo u sëmur dhe vdiq. Pasi e lanë, e vunë në një dhomë në katin e sipërm. Dhe, duke qenë se Lida është afër Jopës, dishepujt, kur morën vesh se Pjetri ndodhej atje, i dërguan dy burra që ta lutnin të vijë tek ata pa vonesë. Atëherë Pjetri u ngrit dhe u nis bashkë me ta. Sapo arriti, e çuan në dhomën lart; të gjitha gratë e veja i dolën atij duke qarë dhe i treguan tunikat dhe veshjet që kishte punuar Gazela, sa ishte bashkë me to. Atëherë Pjetri, mbasi i nxori jashtë të gjithë, u gjunjëzua dhe u lut. Pastaj iu kthye trupit dhe tha: ''Tabitha, çohu!''. Dhe ajo i hapi sytë dhe, si pa Pjetrin, u ngrit ndenjur. Ai i dha dorën dhe e ndihmoi të ngrihet; dhe, si thirri shenjtorët dhe gratë e veja, ua tregoi të gjallë. Kjo u mor vesh në mbarë Jopën, dhe shumë veta besuan në Zotin. Dhe Pjetri qëndroi disa ditë në Jopë, në shtëpinë e njëfarë Simoni, regjës lëkurësh.