Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat 8:1-25

Veprat 8:1-25 AL1

Sauli e miratoi vrasjen e Stefanit. Atë ditë filloi një përndjekje e madhe ndaj kishës në Jerusalem. Përveç apostujve, të gjithë u shpërndanë nëpër fshatrat e Judesë e të Samarisë. Disa njerëz të përkushtuar ndaj Perëndisë e varrosën Stefanin dhe e vajtuan shumë. Ndërsa Sauli po e shkatërronte kishën duke hyrë shtëpi më shtëpi. Ai merrte zvarrë burra e gra dhe i fuste në burg. Mirëpo ata që ishin shpërndarë shkonin nga një vend në tjetrin, duke shpallur ungjillin. Filipi zbriti në qytetin e Samarisë e u predikoi atyre Krishtin. Turmat i dëgjonin me vëmendje fjalët e Filipit, sepse i dëgjonin dhe i shikonin shenjat që bënte. Shpirtrat e ndyrë dilnin me britma të mëdha prej shumë njerëzve që ishin të pushtuar prej tyre dhe shumë të paralizuar e të çalë u shëruan. Kështu, në atë qytet u gëzuan shumë. Në atë qytet jetonte prej kohësh një njeri me emrin Simon, i cili bënte magji e i mahniste njerëzit e Samarisë dhe thoshte se ishte njeri i madh. Të gjithë e dëgjonin me vëmendje, nga më të vegjlit te më të mëdhenjtë, e thoshin: «Ky njeri është fuqia e madhe e Perëndisë». Dhe e dëgjonin me vëmendje, sepse i kishte mahnitur për një kohë të gjatë me magjitë e tij. Por kur i besuan Filipit, që po shpallte ungjillin e mbretërisë së Perëndisë dhe emrin e Jezu Krishtit, atëherë u pagëzuan burra e gra. Edhe vetë Simoni besoi. Pasi u pagëzua, qëndroi me Filipin e mahnitej kur shikonte shenjat dhe veprat e fuqishme që ndodhnin. Kur apostujt në Jerusalem dëgjuan se Samaria e kishte pranuar fjalën e Perëndisë, dërguan atje Pjetrin e Gjonin. Këta shkuan dhe u lutën që ata të merrnin Shpirtin e shenjtë, sepse asnjëri prej tyre nuk e kishte marrë ende Shpirtin e shenjtë, por vetëm ishin pagëzuar në emrin e Zotit Jezu. Atëherë Pjetri e Gjoni vunë duart mbi ta dhe ata morën Shpirtin e shenjtë. Kur Simoni pa se Shpirti u dhurua përmes vënies së duarve të apostujve, u ofroi atyre para e u tha: «Ma jepni edhe mua këtë pushtet, që kur të vë duart mbi dikë, të marrë Shpirtin e shenjtë». Por Pjetri i tha: «U shkatërrofshin paratë e tua e ti bashkë me to, sepse mendove se mund të blesh me para dhuratën e Perëndisë! Ti nuk ke as pjesë e as short në këtë gjë, se nuk e ke zemrën të drejtë para Perëndisë. Pendohu për këtë mbrapshti tënden e lutju Zotit, se ndoshta ta fal atë që kishe në zemër. Në të vërtetë po shoh se je i mbushur me vrer dhe je peng i mëkatit». Atëherë Simoni u përgjigj: «Lutjuni ju Zotit për mua, që të mos më ndodhë asgjë nga këto që thatë». Pasi dëshmuan dhe predikuan fjalën e Zotit, Pjetri e Gjoni u kthyen në Jerusalem, duke u predikuar ungjillin shumë vendeve të Samarisë.