Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat e Apostujve 8:1-25

Veprat e Apostujve 8:1-25 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Sauli e miratoi vrasjen e Stefanit. Atë ditë filloi një përndjekje e madhe ndaj kishës në Jerusalem. Përveç apostujve, të gjithë u shpërndanë nëpër fshatrat e Judesë e të Samarisë. Disa njerëz të përkushtuar ndaj Perëndisë e varrosën Stefanin dhe e vajtuan shumë. Ndërsa Sauli po e shkatërronte kishën duke hyrë shtëpi më shtëpi. Ai merrte zvarrë burra e gra dhe i fuste në burg. Mirëpo ata që ishin shpërndarë shkonin nga një vend në tjetrin, duke shpallur ungjillin. Filipi zbriti në qytetin e Samarisë e u predikoi atyre Krishtin. Turmat i dëgjonin me vëmendje fjalët e Filipit, sepse i dëgjonin dhe i shikonin shenjat që bënte. Shpirtrat e ndyrë dilnin me britma të mëdha prej shumë njerëzve që ishin të pushtuar prej tyre dhe shumë të paralizuar e të çalë u shëruan. Kështu, në atë qytet u gëzuan shumë. Në atë qytet jetonte prej kohësh një njeri me emrin Simon, i cili bënte magji e i mahniste njerëzit e Samarisë dhe thoshte se ishte njeri i madh. Të gjithë e dëgjonin me vëmendje, nga më të vegjlit te më të mëdhenjtë, e thoshin: «Ky njeri është fuqia e madhe e Perëndisë». Dhe e dëgjonin me vëmendje, sepse i kishte mahnitur për një kohë të gjatë me magjitë e tij. Por kur i besuan Filipit, që po shpallte ungjillin e mbretërisë së Perëndisë dhe emrin e Jezu Krishtit, atëherë u pagëzuan burra e gra. Edhe vetë Simoni besoi. Pasi u pagëzua, qëndroi me Filipin e mahnitej kur shikonte shenjat dhe veprat e fuqishme që ndodhnin. Kur apostujt në Jerusalem dëgjuan se Samaria e kishte pranuar fjalën e Perëndisë, dërguan atje Pjetrin e Gjonin. Këta shkuan dhe u lutën që ata të merrnin Shpirtin e shenjtë, sepse asnjëri prej tyre nuk e kishte marrë ende Shpirtin e shenjtë, por vetëm ishin pagëzuar në emrin e Zotit Jezu. Atëherë Pjetri e Gjoni vunë duart mbi ta dhe ata morën Shpirtin e shenjtë. Kur Simoni pa se Shpirti u dhurua përmes vënies së duarve të apostujve, u ofroi atyre para e u tha: «Ma jepni edhe mua këtë pushtet, që kur të vë duart mbi dikë, të marrë Shpirtin e shenjtë». Por Pjetri i tha: «U shkatërrofshin paratë e tua e ti bashkë me to, sepse mendove se mund të blesh me para dhuratën e Perëndisë! Ti nuk ke as pjesë e as short në këtë gjë, se nuk e ke zemrën të drejtë para Perëndisë. Pendohu për këtë mbrapshti tënden e lutju Zotit, se ndoshta ta fal atë që kishe në zemër. Në të vërtetë po shoh se je i mbushur me vrer dhe je peng i mëkatit». Atëherë Simoni u përgjigj: «Lutjuni ju Zotit për mua, që të mos më ndodhë asgjë nga këto që thatë». Pasi dëshmuan dhe predikuan fjalën e Zotit, Pjetri e Gjoni u kthyen në Jerusalem, duke u predikuar ungjillin shumë vendeve të Samarisë.

Veprat e Apostujve 8:1-25 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Por Sauli e kishte miratuar vrasjen e tij. Në atë kohë u bë një përndjekje e madhe kundër kishës që ishte në Jeruzalem; dhe të gjithë u shpërndanë nëpër krahinat e Judesë dhe të Samarisë, me përjashtim të apostujve. Disa njerëz të përshpirtshëm e varrosën Stefanin dhe bënë gjëmë të madhe për të. Por Sauli po shkatërronte kishën: hynte shtëpi më shtëpi, merrte me vete burra dhe gra dhe i fuste në burg. Ata, pra, që ishin shpërndarë shkonin rreth e përqark, duke shpallur fjalën. Dhe Filipi zbriti në qytetin e Samarisë dhe u predikoi atyre Krishtin. Dhe turmat, me një mendje të vetme, dëgjonin me vëmendje gjërat që thoshte Filipi, duke dëgjuar dhe duke parë mrekullitë që ai bënte. Frymëra të ndyra, pra, dilnin nga shumë të demonizuar, duke bërtitur me zë të lartë; dhe shumë të paralizuar e të çalë shëroheshin. Dhe në atë qytet u bë gëzim i madh. Prej kohësh në atë qytet ishte një njeri që quhej Simon, i cili merrej me magji dhe i bënte të çuditeshin njerëzit e Samarisë, gjoja sikur ishte njeri i madh. Dhe të gjithë, nga më i madhi te më i vogli, ia vinin veshin, duke thënë: ''Ky është fuqia e madhe e Perëndisë''. Dhe e dëgjonin, sepse prej një kohe të gjatë ai i kishte mahnitur me magjitë. Por, kur i besuan Filipit, që shpalli lajmin e mirë të gjërave të mbretërisë së Perëndisë dhe emrin e Jezu Krishtit, burra dhe gra u pagëzuan. Besoi edhe Simoni dhe, mbasi u pagëzua, rrinte vazhdimisht me Filipin; dhe, duke parë veprat e fuqishme dhe shenjat që ishin bërë, mbeti i çuditur. Por kur apostujt dëgjuan në Jeruzalem se Samaria kishte pranuar fjalën e Perëndisë, i dërguan atyre Pjetrin dhe Gjonin. Kur këta arritën, u lutën për ta, që të merrnin Frymën e Shenjtë, sepse ende nuk kishte zbritur mbi asnjë prej tyre, por ata vetëm ishin pagëzuar në emër të Zotit Jezus. Atëherë vunë duart mbi ta dhe ata morën Frymën e Shenjtë. Dhe Simoni, kur pa se me vënien e duarve të apostujve jepej Fryma e Shenjtë, u ofroi atyre para, duke thënë: ''Ma jepni edhe mua këtë pushtet, që ai të cilit do t'i vë duart, të marrë Frymën e Shenjtë''. Por Pjetri i tha: ''Le të humbasë paraja jote dhe ti bashkë me të, sepse ti mendove se mund ta blesh me para dhuratën e Perëndisë. Ti nuk ke as pjesë as short në këtë gjë, sepse zemra jote nuk është e drejtë përpara Perëndisë. Pendohu, pra, për këtë ligësi që ke dhe lutju Perëndisë që, po të jetë e mundur, të të falet mendimi i zemrës sate. Sepse unë të shoh se je në vrerin e hidhësisë dhe në prangat e paudhësisë''. Dhe Simoni, duke u përgjigjur, tha: ''Lutjuni ju Zotit për mua, që të mos më ndodhë asgjë nga ato që thatë''. Ata, pra, pasi dhanë dëshmi dhe predikuan fjalën e Zotit, u kthyen në Jeruzalem, mbasi ungjillëzuan shumë fshatra të samaritanëve.