Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat 7:20-43

Veprat 7:20-43 AL1

Në këtë kohë lindi Moisiu, i cili ishte i bukur në sytë e Perëndisë. Ai u rrit në shtëpinë e të atit për tre muaj dhe kur e braktisën, e mori e bija e faraonit dhe e rriti si të ishte biri i vet. Kështu Moisiu u edukua me tërë dijen e egjiptianëve dhe ishte i fuqishëm në fjalë e në vepra. Kur mbushi dyzet vjeç, i lindi në zemër dëshira të shkonte të shihte vëllezërit e vet, bijtë e Izraelit. Aty pa dikë të cilit po i bënin padrejtësi. Ai e mbrojti të shtypurin dhe mori shpagim duke vrarë egjiptianin. Moisiu mendonte se vëllezërit e vet do ta kuptonin se Perëndia po i shpëtonte me anë të tij, por ata nuk e kuptuan. Të nesërmen shkoi te disa izraelitë që po grindeshin e u përpoq t'i pajtonte duke u thënë: “Burra, ju jeni vëllezër. Pse i bëni padrejtësi njëri-tjetrit?”. Por ai që po i bënte padrejtësi tjetrit, e shtyu Moisiun e i tha: kush të caktoi ty prijës e gjykatës mbi ne? A do të më vrasësh edhe mua, sikurse vrave dje egjiptianin? Kur dëgjoi këtë, Moisiu u largua e jetoi si i huaj në dheun e Midianit, ku i lindën dy bij. Pasi kaluan dyzet vjet, Moisiut iu shfaq një engjëll në shkretëtirën e malit të Sinait, në flakën e një shkurreje që po digjej. Kur e pa, Moisiu u çudit me këtë pamje. Ndërsa po afrohej për të parë më mirë, zëri i Zotit tha: unë jam Perëndia i etërve të tu, Perëndia i Abrahamit, Isakut e Jakobit. Moisiu filloi të dridhej e nuk guxonte të shikonte. Atëherë Zoti i tha: zbathi sandalet nga këmbët, sepse vendi ku po qëndron është tokë e shenjtë. E kam parë mirë dhunën që i bëhet popullit tim në Egjipt, e kam dëgjuar rënkimin e tyre dhe kam zbritur për t'i çliruar. Tani eja të të dërgoj në Egjipt. Ky ishte i njëjti Moisi që ata nuk e kishin pranuar kur i thanë: kush të caktoi ty prijës e gjykatës? Tani Perëndia e dërgoi atë si prijës dhe si shpengues përmes engjëllit që iu shfaq në shkurre. Ky i nxori nga Egjipti dhe bëri mrekulli e shenja në tokën e Egjiptit, në detin e Kuq e në shkretëtirë për dyzet vjet. Moisiu është ai që u tha izraelitëve: Perëndia do të nxjerrë nga vëllezërit tuaj një profet si unë. Kur populli ishte mbledhur në shkretëtirë, i njëjti Moisi u bë ndërmjetësi mes engjëllit që i fliste në malin e Sinait dhe etërve tanë. Ai i mori fjalët e jetës për të na i dhënë neve. Etërit tanë nuk deshën t'i bindeshin atij, madje iu shmangën e me zemrat e tyre u kthyen në Egjipt. Ata i thanë Aronit: na bëj ca perëndi, që të na prijnë. Sa për këtë Moisiun që na nxori nga dheu i Egjiptit nuk dimë gjë ç'u bë me të. Po ato ditë ata bënë një viç si idhull, i kushtuan një fli e u kënaqën me veprat e duarve të tyre. Por Perëndia u largua prej tyre e i la të adhurojnë yjet e qiellit, siç është shkruar në librin e Profetëve: a më kushtove kafshë të therura dhe flijime, dyzet vjet në shkretëtirë, o shtëpia e Izraelit? Ju morët me vete tendën e Molokut dhe yllin e perëndisë suaj Refan, shëmbëllimet që i bëtë vetë për t'i adhuruar, prandaj do t'ju shpërngul përtej Babilonisë.