Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat 27:13-26

Veprat 27:13-26 AL1

Kur filloi të frynte një erë e lehtë, ata menduan se do t'ia arrinin qëllimit. Kështu ngritën spirancat e lundruan afër brigjeve të Kretës. Por nuk kaloi shumë kohë dhe mbi ishull filloi një erë e vrullshme verilindore që quhet Eurakilon. Ajo e rrëmbeu anijen dhe ishte e pamundur të lundronim kundër erës. Nuk kishim ç'të bënim dhe e lamë erën të na hidhte sa andej-këtej. Kur po kalonim poshtë një ishulli të vogël që quhet Kauda, me shumë vështirësi arritëm të kapnim varkën e shpëtimit. Pasi e ngritën lart varkën e shpëtimit, përdorën litarë për ta lidhur anijen e për ta bërë më të fortë. Nga frika se mos ngecnin në rërë pranë Sirtit, hodhën spirancën pluskuese dhe e lanë anijen ta lëvizte era. Meqenëse stuhia po na përplaste furishëm sa andej-këtej, të nesërmen hodhën në det ngarkesën, ndërsa ditën e tretë hodhën në det me duart e tyre gjithë pajisjet e anijes. Për shumë ditë nuk pamë as diell, as yje. Stuhia sa vinte e bëhej më e fortë dhe kështu na humbi çdo shpresë shpëtimi. Pasi nuk kishin ngrënë për shumë kohë, Pali u ngrit e tha: «Burra, duhej të më kishit dëgjuar dhe të mos ishim nisur nga Kreta. Kështu do ta kishim shmangur këtë rrezik e këtë dëm. Tani ju këshilloj që të mos ju lëshojë zemra, sepse asnjëri prej jush nuk do ta humbë jetën, por anija do të shkatërrohet. Mbrëmë m'u shfaq një engjëll i Perëndisë, të cilit i përkas dhe të cilin adhuroj e më tha: “Mos ki frikë, o Pal! Ti duhet dalësh para Cezarit dhe prandaj Perëndia ua ka falur jetën të gjithëve atyre që po lundrojnë me ty”. Kështu, merrni zemër, se unë kam besim në Perëndinë se do të bëhet ashtu siç më tha engjëlli. Ne do të përfundojmë në një ishull».