Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat e Apostujve 27:13-26

Veprat e Apostujve 27:13-26 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Kur filloi të frynte një erë e lehtë, ata menduan se do t'ia arrinin qëllimit. Kështu ngritën spirancat e lundruan afër brigjeve të Kretës. Por nuk kaloi shumë kohë dhe mbi ishull filloi një erë e vrullshme verilindore që quhet Eurakilon. Ajo e rrëmbeu anijen dhe ishte e pamundur të lundronim kundër erës. Nuk kishim ç'të bënim dhe e lamë erën të na hidhte sa andej-këtej. Kur po kalonim poshtë një ishulli të vogël që quhet Kauda, me shumë vështirësi arritëm të kapnim varkën e shpëtimit. Pasi e ngritën lart varkën e shpëtimit, përdorën litarë për ta lidhur anijen e për ta bërë më të fortë. Nga frika se mos ngecnin në rërë pranë Sirtit, hodhën spirancën pluskuese dhe e lanë anijen ta lëvizte era. Meqenëse stuhia po na përplaste furishëm sa andej-këtej, të nesërmen hodhën në det ngarkesën, ndërsa ditën e tretë hodhën në det me duart e tyre gjithë pajisjet e anijes. Për shumë ditë nuk pamë as diell, as yje. Stuhia sa vinte e bëhej më e fortë dhe kështu na humbi çdo shpresë shpëtimi. Pasi nuk kishin ngrënë për shumë kohë, Pali u ngrit e tha: «Burra, duhej të më kishit dëgjuar dhe të mos ishim nisur nga Kreta. Kështu do ta kishim shmangur këtë rrezik e këtë dëm. Tani ju këshilloj që të mos ju lëshojë zemra, sepse asnjëri prej jush nuk do ta humbë jetën, por anija do të shkatërrohet. Mbrëmë m'u shfaq një engjëll i Perëndisë, të cilit i përkas dhe të cilin adhuroj e më tha: “Mos ki frikë, o Pal! Ti duhet dalësh para Cezarit dhe prandaj Perëndia ua ka falur jetën të gjithëve atyre që po lundrojnë me ty”. Kështu, merrni zemër, se unë kam besim në Perëndinë se do të bëhet ashtu siç më tha engjëlli. Ne do të përfundojmë në një ishull».

Veprat e Apostujve 27:13-26 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Dhe kur filloi të fryjë lehtë juga, duke menduar se mund të realizohej qëllimi i tyre, i ngritën spirancat dhe filluan të lundrojnë afër brigjeve të Kretës. Por, pak më vonë, shpërtheu mbi ishull një erë e vrullshme, që e quajnë Euroklidon. Duke qenë se anija po ikte pa qenë në gjendje t'i qëndronte erës, e lamë në mëshirë të fatit dhe kështu filluam të shkojmë sa andej-këtej. Si kaluam me të shpejtë pranë një ishulli të vogël, që quhet Klauda, arritëm me vështirësi ta vëmë nën kontroll sandallin. Dhe, mbasi e ngritën në bordin, detarët përdorën të gjitha mënyrat për ta ngjeshur nga poshtë anijen dhe, nga frika se mos ngecnin në cekëtinat ranore të Sirtës, i ulën velat dhe kështu shkonin andej-këtej. Por mbasi furtuna na vuri përpara me forcë, të nesërmen filluan ta hedhim në det ngarkesën. Ditën e tretë, hodhën me duart e tyre, pajisjet e anijes në det. Dhe, duke qenë se prej shumë ditësh nuk dukeshin as dielli as yjet, dhe furtuna po tërbohej, humbi tashmë çdo shpresë shpëtimi. Edhe, mbasi kishin mbetur shumë kohë pa ushqim, Pali u çua në mes të tyre dhe tha: ''O burra, po të më kishit dëgjuar dhe të mos ishit nisur nga Kreta, do t'i ishim shmangur këtij rreziku dhe kësaj humbjeje. Dhe tani ju këshilloj të mos e humbni toruan sepse asnjë shpirt nga ne nuk do të humbasë, përveç anijes. Sepse këtë natë m'u shfaq një engjëll i Perëndisë, të cilit unë i përkas dhe të cilit unë i shërbej, duke thënë: "Pal, mos druaj, ti duhet të dalësh para Cezarit; dhe ja, Perëndia ty t'i ka dhënë të gjithë ata që lundrojnë me ty". Prandaj, o burra, kini zemër të gëzuar, sepse unë besoj në Perëndinë se do të ndodhë pikërisht ashtu siç m'u tha. Edhe duhet të ngecim në një ishull''.