Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat 20:17-35

Veprat 20:17-35 AL1

Nga Mileti Pali u çoi fjalë pleqve të kishës në Efes që ta takonin. Kur erdhën ata, Pali u tha: «Ju e dini sesi kam jetuar me ju gjatë gjithë kohës që nga dita e parë që shkela në Azi, duke i shërbyer Zotit me shumë përulësi e lot, nëpër sprovat që hoqa për shkak të sulmeve të judenjve. Ju e dini se nuk ju kam fshehur asgjë, por ju kam predikuar e ju kam mësuar hapur e nëpër shtëpitë tuaja gjithçka që ishte e dobishme për ju. Unë u kam predikuar si judenjve, edhe helenëve që të pendohen para Perëndisë e të besojnë në Zotin tonë Jezu. Dhe tani, i shtyrë nga Shpirti, po shkoj në Jerusalem, pa e ditur se çfarë do të më ndodhë atje. Shpirti i shenjtë më ka dëshmuar në çdo qytet se më presin prangat dhe vuajtjet. Megjithatë, për mua nuk ka rëndësi jeta ime, por rëndësi ka të përfundoj vrapimin që kam nisur dhe shërbesën që kam marrë nga Zoti Jezu për të dëshmuar ungjillin e hirit të Perëndisë. Unë kam ardhur te ju dhe ju predikova për mbretërinë e Perëndisë, por tani unë e di se asnjëri prej jush nuk do të më shohë më. Prandaj sot po ju them se unë nuk kam faj nëse ndonjëri nga ju humbet, sepse unë nuk ju kam fshehur asgjë, por ju kam predikuar gjithçka në lidhje me vullnetin e Perëndisë për ju. Ruajeni veten tuaj dhe tërë grigjën, mbi të cilën Shpirti i shenjtë ju ka vënë mbikëqyrës, që të kujdeseni për kishën e Perëndisë, të cilën ai e bleu me gjakun e vet. E di se, pasi të jem larguar, do të hyjnë mes jush ujq grabitqarë që nuk do ta kursejnë grigjën. Madje edhe prej jush do të dalin njerëz që do t'ju mësojnë gjëra të gënjeshtërta për t'i tërhequr dishepujt pas vetes. Prandaj, rrini zgjuar e kujtohuni se secilin e kam mësuar pareshtur, me lot, ditë e natë, për tre vjet. E tani po ju lë në dorë të Perëndisë dhe në fjalën e hirit të tij. Perëndia e ka fuqinë t'ju rrisë në besim e t'ju japë trashëgiminë bashkë me të gjithë të shenjtëruarit. Unë nuk i kam kërkuar ndokujt as argjend, as ar e as rroba. Ju e dini vetë se kam punuar me duart e mia për të mbajtur veten dhe ata që ishin me mua. Me të gjitha këto që kam bërë, ju kam dhënë shembullin se edhe ju duhet të punoni kaq shumë për të ndihmuar ata që janë në nevojë e të kujtoni fjalët e Zotit Jezu, i cili ka thënë: “Më i lum është ai që jep, se ai që merr”».