Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat e Apostujve 20:17-35

Veprat e Apostujve 20:17-35 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Nga Mileti Pali u çoi fjalë pleqve të kishës në Efes që ta takonin. Kur erdhën ata, Pali u tha: «Ju e dini sesi kam jetuar me ju gjatë gjithë kohës që nga dita e parë që shkela në Azi, duke i shërbyer Zotit me shumë përulësi e lot, nëpër sprovat që hoqa për shkak të sulmeve të judenjve. Ju e dini se nuk ju kam fshehur asgjë, por ju kam predikuar e ju kam mësuar hapur e nëpër shtëpitë tuaja gjithçka që ishte e dobishme për ju. Unë u kam predikuar si judenjve, edhe helenëve që të pendohen para Perëndisë e të besojnë në Zotin tonë Jezu. Dhe tani, i shtyrë nga Shpirti, po shkoj në Jerusalem, pa e ditur se çfarë do të më ndodhë atje. Shpirti i shenjtë më ka dëshmuar në çdo qytet se më presin prangat dhe vuajtjet. Megjithatë, për mua nuk ka rëndësi jeta ime, por rëndësi ka të përfundoj vrapimin që kam nisur dhe shërbesën që kam marrë nga Zoti Jezu për të dëshmuar ungjillin e hirit të Perëndisë. Unë kam ardhur te ju dhe ju predikova për mbretërinë e Perëndisë, por tani unë e di se asnjëri prej jush nuk do të më shohë më. Prandaj sot po ju them se unë nuk kam faj nëse ndonjëri nga ju humbet, sepse unë nuk ju kam fshehur asgjë, por ju kam predikuar gjithçka në lidhje me vullnetin e Perëndisë për ju. Ruajeni veten tuaj dhe tërë grigjën, mbi të cilën Shpirti i shenjtë ju ka vënë mbikëqyrës, që të kujdeseni për kishën e Perëndisë, të cilën ai e bleu me gjakun e vet. E di se, pasi të jem larguar, do të hyjnë mes jush ujq grabitqarë që nuk do ta kursejnë grigjën. Madje edhe prej jush do të dalin njerëz që do t'ju mësojnë gjëra të gënjeshtërta për t'i tërhequr dishepujt pas vetes. Prandaj, rrini zgjuar e kujtohuni se secilin e kam mësuar pareshtur, me lot, ditë e natë, për tre vjet. E tani po ju lë në dorë të Perëndisë dhe në fjalën e hirit të tij. Perëndia e ka fuqinë t'ju rrisë në besim e t'ju japë trashëgiminë bashkë me të gjithë të shenjtëruarit. Unë nuk i kam kërkuar ndokujt as argjend, as ar e as rroba. Ju e dini vetë se kam punuar me duart e mia për të mbajtur veten dhe ata që ishin me mua. Me të gjitha këto që kam bërë, ju kam dhënë shembullin se edhe ju duhet të punoni kaq shumë për të ndihmuar ata që janë në nevojë e të kujtoni fjalët e Zotit Jezu, i cili ka thënë: “Më i lum është ai që jep, se ai që merr”».

Veprat e Apostujve 20:17-35 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Nga Mileti dërgoi në Efes për të thirrur pleqtë e kishës. Kur ata erdhën tek ai, ai u tha atyre: ''Ju e dini dita e parë që hyra në Azi si kam jetuar midis jush për të gjithë këtë kohë, duke i shërbyer Zotit me gjithë përulësi e me shumë lot e me prova që m'u bënë nga tinëzitë e judenjve; dhe si unë nuk fsheha asnjë nga ato gjëra që ishin të dobishme për ju, por jua shpalla juve dhe jua mësova botërisht dhe nëpër shtëpi, duke u deklaruar solemnisht judenjve dhe grekëve mbi pendimin te Perëndia dhe për besimin në Zotin tonë Jezu Krisht. Dhe ja, tani, i shtyrë nga Fryma, po shkoj në Jeruzalem pa ditur se ç'do të më ndodhë atje, përveçse Fryma e Shenjtë dëshmon për mua në çdo qytet, duke thënë se më presin pranga dhe mundime. Por unë nuk dua t'ia di fare për jetën time që nuk e çmoj aq, sa ta kryej me gëzim vrapimin tim dhe shërbesën që mora nga Zoti Jezus, të dëshmoj plotësisht ungjillin e hirit të Perëndisë. Dhe ja, tani e di se të gjithë ju, në mes të të cilëve kam vajtur dhe ardhur duke predikuar mbretërinë e Perëndisë, nuk do të shihni më fytyrën time. Prandaj sot po ju deklaroj se unë jam i pastër nga gjaku i të gjithëve; sepse nuk u tërhoqa prapa për të mos ju treguar gjithë këshillën e Perëndisë. Tregoni kujdes, pra, për veten tuaj dhe për gjithë tufën, në mes të së cilës Fryma e Shenjtë ju ka vënë ju kujdestarë që të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën ai e ka fituar me gjakun e tij. Në fakt unë e di se, pas largimit tim, do të hyjnë midis jush ujqër grabitqarë, që nuk do ta kursejnë tufën, edhe vetë midis jush do të dalin njerëz që do të flasin gjëra të çoroditura që të tërheqin pas vetes dishepujt. Prandaj rrini zgjuar, dhe mbani mend se për tre vjet me radhë, ditë e natë, nuk pushova kurrë të paralajmëroj secilin me lot. Dhe tani, o vëllezër, unë po ju lë te Perëndia dhe te fjala e hirit të tij, që është në gjendje t'ju ndërtojë dhe t'ju japë trashëgimin në mes të të gjithë të shenjtëruarve. Unë nuk kam dashur as argjend, as ar, as rrobat e ndonjërit. Dhe ju vetë e dini se këto duar kanë punuar për nevojat e mia dhe për ata që ishin bashkë me mua. Dhe në çdo gjë ju kam treguar se, duke u munduar në këtë mënyrë, duhet të ndihmohen të sëmurët dhe të kujtohen fjalët e Zotit Jezus, i cili tha: "Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh!"''.