Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat 17:16-34

Veprat 17:16-34 AL1

Ndërsa po i priste në Athinë, Pali u mërzit shumë kur pa se qyteti ishte plot me idhuj. Ai diskutonte në sinagogë me judenjtë dhe me të kthyerit në besimin e judenjve dhe çdo ditë fliste në sheshin e tregut me ata që ndodheshin aty. Disa filozofë epikurianë e stoikë po diskutonin me të. Disa thanë: «Çfarë po përpiqet të na thotë ky fjalaman?». Disa të tjerë thanë: «Duket se është lajmëtar hyjnish të huaja». Këtë e thanë sepse ai po predikonte ungjillin e Jezuit dhe ngjalljen. Atëherë e morën, e çuan në Areopag dhe e pyetën: «A mund ta dimë çfarë është ky mësim i ri për të cilin po flet? Na tingëllojnë si gjëra të çuditshme, prandaj dëshirojmë të dimë ç'kuptim kanë ato». Në të vërtetë, të gjithë athinasit e të huajt që jetonin aty, nuk e kalonin kohën ndryshe veçse duke treguar apo duke dëgjuar ndonjë të re. Atëherë Pali u ngrit në mes të Areopagut e tha: «Athinas, unë po shoh se jeni njerëz shumë fetarë në gjithçka. Duke ecur nëpër qytet e duke parë me vëmendje vendet e shenjta ku ju adhuroni, gjeta edhe një altar me mbishkrimin: “Perëndisë së panjohur”. Atë që ju e adhuroni si të panjohur, unë po jua shpall. Perëndia që bëri botën dhe gjithçka gjendet në të, ai që është Zoti i qiellit e i tokës, nuk banon në tempuj të ndërtuar me duart e njerëzve. Meqenëse ai vetë u jep njerëzve jetë, frymë e gjithçka, nuk pret t'i shërbejnë njerëzit, a thua se ka nevojë për ndonjë gjë. Prej një njeriu të vetëm Perëndia i bëri të gjitha kombet që e mbushin tokën dhe u ka caktuar kohët e kufijtë e vendit ku duhet të banojnë. Ai deshi që njerëzit ta kërkojnë e të përpiqen ta gjejnë duke kërkuar si në terr, ndonëse ai nuk është larg secilit prej nesh. “Në të jetojmë, lëvizim e jemi, sikurse kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj, se edhe ne jemi bijtë e tij”. E meqë jemi bijtë e Perëndisë, nuk duhet të mendojmë se hyjnia është e ngjashme me arin, argjendin apo gurin, të punuar nga mjeshtëria dhe aftësia e njerëzve. Por Perëndia nuk i mori parasysh kohët e padijes njerëzore, veçse tani i urdhëron të gjithë njerëzit, kudo që janë, të pendohen, sepse e ka caktuar ditën kur do të gjykojë me drejtësi botën përmes njeriut që po ai e ka caktuar. Dhe këtë e ka provuar duke e ngjallur atë prej të vdekurve». Kur dëgjuan për ngjalljen e të vdekurve, disa filluan të talleshin, ndërsa të tjerët thanë: «Për këtë do të të dëgjojmë një herë tjetër». Atëherë Pali u largua prej tyre. Por disa nga ata shkuan pas tij dhe besuan në Perëndinë. Ndër këta ishin Dionis Areopagiti, një grua me emrin Damara, si edhe disa të tjerë.