Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat e Apostujve 17:16-34

Veprat e Apostujve 17:16-34 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Ndërsa po i priste në Athinë, Pali u mërzit shumë kur pa se qyteti ishte plot me idhuj. Ai diskutonte në sinagogë me judenjtë dhe me të kthyerit në besimin e judenjve dhe çdo ditë fliste në sheshin e tregut me ata që ndodheshin aty. Disa filozofë epikurianë e stoikë po diskutonin me të. Disa thanë: «Çfarë po përpiqet të na thotë ky fjalaman?». Disa të tjerë thanë: «Duket se është lajmëtar hyjnish të huaja». Këtë e thanë sepse ai po predikonte ungjillin e Jezuit dhe ngjalljen. Atëherë e morën, e çuan në Areopag dhe e pyetën: «A mund ta dimë çfarë është ky mësim i ri për të cilin po flet? Na tingëllojnë si gjëra të çuditshme, prandaj dëshirojmë të dimë ç'kuptim kanë ato». Në të vërtetë, të gjithë athinasit e të huajt që jetonin aty, nuk e kalonin kohën ndryshe veçse duke treguar apo duke dëgjuar ndonjë të re. Atëherë Pali u ngrit në mes të Areopagut e tha: «Athinas, unë po shoh se jeni njerëz shumë fetarë në gjithçka. Duke ecur nëpër qytet e duke parë me vëmendje vendet e shenjta ku ju adhuroni, gjeta edhe një altar me mbishkrimin: “Perëndisë së panjohur”. Atë që ju e adhuroni si të panjohur, unë po jua shpall. Perëndia që bëri botën dhe gjithçka gjendet në të, ai që është Zoti i qiellit e i tokës, nuk banon në tempuj të ndërtuar me duart e njerëzve. Meqenëse ai vetë u jep njerëzve jetë, frymë e gjithçka, nuk pret t'i shërbejnë njerëzit, a thua se ka nevojë për ndonjë gjë. Prej një njeriu të vetëm Perëndia i bëri të gjitha kombet që e mbushin tokën dhe u ka caktuar kohët e kufijtë e vendit ku duhet të banojnë. Ai deshi që njerëzit ta kërkojnë e të përpiqen ta gjejnë duke kërkuar si në terr, ndonëse ai nuk është larg secilit prej nesh. “Në të jetojmë, lëvizim e jemi, sikurse kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj, se edhe ne jemi bijtë e tij”. E meqë jemi bijtë e Perëndisë, nuk duhet të mendojmë se hyjnia është e ngjashme me arin, argjendin apo gurin, të punuar nga mjeshtëria dhe aftësia e njerëzve. Por Perëndia nuk i mori parasysh kohët e padijes njerëzore, veçse tani i urdhëron të gjithë njerëzit, kudo që janë, të pendohen, sepse e ka caktuar ditën kur do të gjykojë me drejtësi botën përmes njeriut që po ai e ka caktuar. Dhe këtë e ka provuar duke e ngjallur atë prej të vdekurve». Kur dëgjuan për ngjalljen e të vdekurve, disa filluan të talleshin, ndërsa të tjerët thanë: «Për këtë do të të dëgjojmë një herë tjetër». Atëherë Pali u largua prej tyre. Por disa nga ata shkuan pas tij dhe besuan në Perëndinë. Ndër këta ishin Dionis Areopagiti, një grua me emrin Damara, si edhe disa të tjerë.

Veprat e Apostujve 17:16-34 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ndërsa Pali po i priste në Athinë, po i ziente fryma përbrenda, kur pa qytetin plot me idhuj. Ai, pra, po diskutonte në sinagogë me judenjtë dhe me njerëz të përshpirtshëm dhe çdo ditë në sheshin e tregut me ata që takonte. Diskutonin me të edhe disa filozofë epikurianë dhe stoikë. Disa thoshin: ''Vallë ç'do të thotë ky llafazan''. Dhe të tjerë thoshin: ''Ai duket se është një kasnec i perëndive të huaja'', sepse u shpall atyre Jezusin dhe ringjalljen. Dhe e zunë dhe e çuan në Areopag, duke thënë: ''A mund ta marrim vesh ç'është kjo doktrinë e re për të cilën ti flet? Sepse ti sjell disa gjëra të huaja në veshët tanë, prandaj duam të dimë ç'kuptim kanë ato. Atëherë gjithë Athinasit dhe të huajt që banonin atje nuk e kalonin kohën më mirë sesa duke folur ose duke dëgjuar ndonjë fjalë të re. Atëherë Pali, duke qëndruar në këmbë në mes të Areopagut, tha: ''O burra athinas, unë shoh se në të gjitha gjërat ju jeni shumë fetarë''. Sepse, duke ecur e duke vënë re objektet e kultit tuaj, gjeta edhe një altar mbi të cilin është shkruar: "PERËNDISË SË PANJOHUR". Atë, pra, që ju e adhuroni pa e njohur, unë po jua shpall. Perëndia që bëri botën dhe të gjitha gjërat që janë në të, duke qenë Zot i qiellit dhe i tokës, nuk banon në tempuj të bërë nga duart e njeriut, dhe as shërbehet nga duart e njerëzve, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë, hukatje dhe çdo gjë; dhe ai ka bërë nga një gjak i vetëm të gjitha racat e njerëzve, që të banojnë në mbarë faqen e dheut, dhe caktoi kohërat me radhë dhe caqet e banimit të tyre, që të kërkojnë Zotin, mbase mund ta gjejnë duke prekur, ndonëse ai nuk është larg nga secili prej nesh. Sepse në të ne jetojmë, lëvizim dhe jemi, sikurse kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj: "Sepse jemi edhe ne pasardhës të tij". Duke qenë, pra, se ne jemi pasardhës të Perëndisë, nuk duhet të mendojmë që natyra e perëndishme është e ngjashme me arin ose me argjendin, ose me gurin ose me një vepër arti të latuar dhe të shpikur nga njeriu. Perëndia, pra, duke kaluar përmbi kohërat e padijes, i urdhëron të gjithë njerëzit dhe kudo që të pendohen. Sepse ai ka caktuar një ditë në të cilën do të gjykojë me drejtësi botën me anë të atij njeriu të cilin ai e ka caktuar; dhe për këtë u ka dhënë të gjithëve një provë të sigurt, duke e ringjallur prej të vdekurit''. Kur dëgjuan të flitej për ringjalljen e të vdekurve, disa e përqeshën dhe të tjerë thoshin: ''Do të të dëgjojmë përsëri për këtë gjë''. Kështu Pali doli nga mesi i tyre. Por disa u bashkuan me të dhe besuan, ndër këta edhe Dionis areopagiti, një grua që quhej Damaris dhe ca të tjerë me ta.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë