Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat 14

14
Pali e Barnaba në Ikon
1Në Ikon, Pali e Barnaba hynë në sinagogën e judenjve dhe folën në një mënyrë të tillë saqë një numër i madh judenjsh e helenësh besuan në Jezuin. 2Por judenjtë që nuk besuan, i mbushën me ligësi shpirtrat e johebrenjve dhe i ngritën kundër vëllezërve. 3Megjithatë Pali e Barnaba ndenjën aty për shumë kohë, duke folur me guxim për Zotin. Zoti u jepte atyre fuqinë që të bënin shenja e mrekulli, duke dëshmuar kështu se predikimi i tyre për hirin e tij ishte i vërtetë.
4Banorët e qytetit u përçanë. Disa ishin me judenjtë, disa me apostujt. 5Kur kombet dhe judenjtë, bashkë me krerët e tyre, shestuan që t'i keqtrajtonin e t'i vrisnin me gurë, 6apostujt e morën vesh dhe shkuan në Listër e Derbë, qytete të Likaonisë, si edhe në fshatrat përreth. 7Aty vazhduan të shpallnin ungjillin.
Pali e Barnaba në Listër
8Në Listër gjetën një njeri me këmbë të paralizuara që në bark të nënës. Ai rrinte ulur dhe nuk kishte ecur kurrë. 9Pali e pa atë me vëmendje dhe, kur vuri re se ai besonte se do të shërohej, 10i tha me zë të lartë: «Ngrihu më këmbë!». Atëherë ai u ngrit më këmbë e filloi të ecte.
11Kur panë se ç'bëri Pali, turmat bërtitën në likaonisht e thanë: «Perënditë kanë zbritur te ne në trajtë njeriu!». 12Ata e quajtën Barnabën Zeus, ndërsa Palin Hermes, sepse ishte ai që fliste më shumë.
13Prifti i Zeusit, tempulli i të cilit ishte jashtë qytetit, solli dema e kurora te dyert dhe së bashku me turmat donin t'u kushtonin flijime. 14Kur e dëgjuan këtë gjë dy apostujt, Barnaba e Pali, grisën rrobat dhe dolën me vrap te turmat duke bërtitur: 15«O burra, çfarë po bëni kështu? Ne jemi njerëz si ju. Ne ju sjellim ungjillin, që të ktheheni nga këto gjëra të kota te Perëndia i gjallë, që krijoi qiellin, tokën, detin e gjithçka gjendet në to. 16Në kohën e breznive të kaluara i ka lejuar të gjitha kombet të ndiqnin udhët e tyre. 17Megjithatë ai ka dhënë dëshmi për veten e tij, duke bërë vepra të mira. Ju ka dhënë shi nga qielli e stinë të begata, duke ju dhënë ushqim e duke i gëzuar zemrat tuaja».
18Edhe pas këtyre fjalëve i mbajtën me vështirësi turmat që të mos u kushtonin flijime.
19Por aty erdhën disa judenj nga Antiokia e Ikoni dhe i bënë turmat për vete. Atëherë e goditën Palin me gurë dhe e tërhoqën zvarrë jashtë qytetit, duke menduar se kishte vdekur. 20Kur dishepujt u mblodhën përreth tij, ai u ngrit dhe hyri në qytet. Të nesërmen shkoi me Barnabën në Derbë.
Kthimi në Antiokinë e Sirisë
21Pasi e shpallën ungjillin në atë qytet dhe bënë shumë dishepuj, u kthyen në Listër, në Ikon e në Antioki. 22Aty ua forcuan shpirtrat dishepujve e u dhanë zemër që të vazhdonin në besim, duke u thënë: «Duhet të kalojmë shumë mundime për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë». 23Në çdo kishë ata zgjodhën pleqtë drejtues dhe me agjërim e lutje ia paraqitën Zotit, në të cilin kishin besuar.
24Pastaj kaluan nëpër Pisidi dhe arritën në Pamfili. 25Atëherë e predikuan fjalën e Zotit në Pergë e shkuan në Atali. 26Që aty lundruan për në Antioki, në qytetin ku Perëndia u kishte besuar hirin për veprën që kishin përfunduar.
27Kur arritën, e mblodhën kishën, i treguan gjithçka kishte bërë me ta Perëndia dhe sesi ai u kishte hapur derën e besimit kombeve. 28Pali e Barnaba ndenjën atje me dishepujt për shumë kohë.

Aktualisht i përzgjedhur:

Veprat 14: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr