Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat 10:10-48

Veprat 10:10-48 AL1

Atë e mori uria e donte të hante. Ndërsa po i përgatisnin ushqimin, pati një vegim. Ai pa qiellin të hapur e diçka si një pëlhurë të madhe që zbriste e ulej në tokë e mbajtur në të katër cepat. Në pëlhurë gjendeshin të gjitha llojet e katërkëmbëshve, të zvarranikëve të tokës e të shpendëve të qiellit. Atëherë dëgjoi një zë që i tha: «Ngrihu, Pjetër. Ther e ha». Por Pjetri tha: «Kurrsesi, o Zot. Unë nuk kam ngrënë kurrë asgjë të papastër e të ndyrë». Zëri i tha përsëri për të dytën herë: «Mos e quaj të papastër atë që ka pastruar Perëndia!». Kjo gjë u përsërit tri herë dhe ajo që kishte parë Pjetri u ngrit në qiell. Pjetri po përpiqej të kuptonte domethënien e vegimit që kishte parë teksa vinin njerëzit e Kornelit. Ata ishin te porta e po pyesnin për shtëpinë e Simonit. Pastaj thirrën e pyetën nëse rrinte aty Simoni që quhej Pjetër. Ndërkohë që Pjetri kishte ende në mendje vegimin, Shpirti i tha: «Po të kërkojnë tre burra. Tani ngrihu, zbrit poshtë e shko me ta pa ngurruar, se i kam dërguar unë». Pjetri zbriti te ata njerëz e tha: «Unë jam ai që po kërkoni. Pse keni ardhur?». Ata i thanë: «Korneli, kryeqindësi, është njeri i drejtë dhe e druan Perëndinë. Për të flet mirë tërë kombi i judenjve. Atë e udhëzoi një engjëll i shenjtë të të thërrasë në shtëpinë e tij dhe të dëgjojë çfarë ke për t'i thënë». Atëherë Pjetri i ftoi të hynin e të rrinin në atë shtëpi. Të nesërmen ai u ngrit e shkoi me ta. Disa prej vëllezërve nga Jopa shkuan me të. Një ditë më pas arritën në Cezare. Korneli po i priste dhe kishte thirrur të afërmit e miqtë e ngushtë. Kur hyri Pjetri, Korneli i doli para dhe i ra ndër këmbë për ta adhuruar. Por Pjetri e ngriti e i tha: «Ngrihu! Edhe unë njeri jam». Ndërsa po fliste me Kornelin, hyri brenda dhe gjeti shumë njerëz që ishin mbledhur atje. Atëherë u tha: «Ju e dini se për një jude është e palejueshme të shoqërohet me një të huaj apo të hyjë në shtëpinë e tij, por Perëndia më ka treguar se nuk duhet të quaj më askënd të papastër apo të ndyrë. Prandaj erdha pa kundërshtuar kur dërguat njerëz për të më thirrur. Tani, po ju pyes, pse më thirrët?». Korneli u përgjigj: «Para katër ditësh, pikërisht në këtë kohë, në orën tre, kur po lutesha në shtëpinë time, papritur qëndroi para meje një njeri i veshur me rroba të shndritshme. Ai më tha: “Kornel, Perëndia e ka dëgjuar lutjen tënde dhe i ka kujtuar lëmoshat e tua. Prandaj, dërgo njerëz në Jopë e kërko Simonin që quhet Pjetër. Ai po rri në shtëpinë e Simon lëkurëpunuesit, afër detit”. Atëherë unë menjëherë dërgova njerëz te ti dhe ti bëre mirë që erdhe. Tani ne jemi të gjithë këtu para Perëndisë për të dëgjuar gjithçka që të ka urdhëruar Zoti të thuash». Atëherë Pjetri filloi t'u fliste: «Me të vërtetë po e kuptoj se Perëndia nuk mban anën e askujt. Kushdo që e druan Perëndinë dhe bën atë që është e drejtë, nga çdo komb qoftë, gjen pëlqim te Perëndia. Ju e njihni fjalën që i ka dërguar ai popullit të Izraelit, duke predikuar ungjillin e paqes përmes Jezu Krishtit. Ai është Zoti i të gjitha gjërave. Ajo fjalë është përhapur nëpër Jude, duke filluar që nga Galilea, pas pagëzimit që predikoi Gjoni, dhe tregon sesi Perëndia e vajosi Jezuin nga Nazareti me Shpirtin e shenjtë e me fuqi, sesi ai shkoi nga një vend në tjetrin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që ishin nën pushtetin e djallit, sepse Perëndia ishte me të. Ne jemi dëshmitarë të të gjitha gjërave që bëri ai në Jude e në Jerusalem. Ata e vranë, duke e varur në drurin e kryqit, por ditën e tretë Perëndia e ngjalli dhe bëri që t'i shfaqej jo të gjithë popullit, por neve, që ishim të zgjedhur nga Perëndia si dëshmitarë dhe që hëngrëm e pimë me të pasi u ngjall prej të vdekurve. Jezui na urdhëroi t'i predikojmë popullit e të dëshmojmë se Perëndia ka caktuar pikërisht atë si gjykatës të të gjallëve e të të vdekurve. Të gjithë profetët dëshmojnë për të e thonë se kushdo që beson në të, merr faljen e mëkateve përmes emrit të tij». Ndërsa Pjetri po fliste ende, Shpirti i shenjtë zbriti mbi të gjithë ata që e dëgjonin. Besimtarët e rrethprerë që kishin ardhur me Pjetrin u çuditën sesi dhurata e Shpirtit të shenjtë iu dha edhe kombeve dhe i dëgjuan duke folur në gjuhë e duke madhëruar Perëndinë. Atëherë Pjetri tha: «A mund t'ua ndalojë njeri ujin e pagëzimit këtyre njerëzve që morën Shpirtin e shenjtë sikurse edhe ne?». Pastaj i urdhëroi të pagëzoheshin në emrin e Jezu Krishtit. Atëherë ata i kërkuan të rrinte për disa ditë.

Devocione dhe Plane Leximi falas për Veprat 10:10-48

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë