Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Timoteut 1:1-18

2 Timoteut 1:1-18 AL1

Unë Pali, që përmes vullnetit të Perëndisë jam apostull i Krishtit Jezu për të predikuar jetën e premtuar, që është në Krishtin Jezu, po i shkruaj Timoteut, birit tim të dashur: hiri, mëshira e paqja nga Perëndia Atë dhe nga Krishti Jezu, Zoti ynë, qofshin me ty! Falënderoj Perëndinë që e adhuroj me ndërgjegje të pastër si të parët e mi ndërsa të kujtoj ty pa pushim në lutjet e mia natë e ditë. Kur kujtoj lotët e tu, kam shumë dëshirë të të shoh, që të mbushem me gëzim. Më kujtohet besimi yt i sinqertë, që përpara teje e kishte Loida, gjyshja jote, dhe Eunika, nëna jote. Jam i bindur se këtë besim e ke edhe ti. Për këtë arsye po të kujtoj ta mbash gjallë dhuntinë që Perëndia të dha përmes vënies së duarve të mia. Perëndia nuk na dha shpirtin e frikës, por të fuqisë, të dashurisë e të maturisë. Prandaj mos ki turp as nga dëshmia për Zotin tonë, as nga unë, i burgosuri i tij, por vuaj bashkë me mua për ungjillin, i mbështetur në fuqinë e Perëndisë. Perëndia na shpëtoi e na thirri me një thirrje të shenjtë, jo sipas veprave tona, por sipas qëllimit të tij e hirit që na u dha përmes Krishtit Jezu përpara fillimit të kohëve. Ky hir u bë i dukshëm tani përmes ardhjes së shpëtimtarit tonë, Krishtit Jezu, i cili e shfuqizoi vdekjen dhe nxori në dritë jetën e pavdekësinë përmes ungjillit. Për këtë ungjill unë u caktova predikues, apostull e mësues. Për këtë arsye po vuaj gjithë këto gjëra. Por nuk kam turp, se e di kujt i kam besuar e jam i bindur se ai është i aftë ta ruajë thesarin që më ka besuar, deri në atë ditë. Ndiqe shembullin e mësimit të drejtë, që dëgjove prej meje, me besimin e me dashurinë që vijnë përmes Krishtit Jezu. Ruaje thesarin e mirë me ndihmën e Shpirtit të shenjtë që banon në ne. Ti e di se të gjithë ata që janë në Azi më braktisën, ndër ta edhe Figeli e Hermogjeni. Zoti tregoftë mëshirë për shtëpinë e Onesiforit, se më ngushëlloi shpesh e nuk pati turp nga prangat e mia. Madje, kur erdhi në Romë, më kërkoi me ngulm e më gjeti. Dhëntë Zoti që ai të gjejë mëshirë prej Zotit atë ditë. Ti e di shumë mirë sesa më shërbeu ai në Efes.