Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Timoteut 1:1-18

2 Timoteut 1:1-18 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Unë Pali, që përmes vullnetit të Perëndisë jam apostull i Krishtit Jezu për të predikuar jetën e premtuar, që është në Krishtin Jezu, po i shkruaj Timoteut, birit tim të dashur: hiri, mëshira e paqja nga Perëndia Atë dhe nga Krishti Jezu, Zoti ynë, qofshin me ty! Falënderoj Perëndinë që e adhuroj me ndërgjegje të pastër si të parët e mi ndërsa të kujtoj ty pa pushim në lutjet e mia natë e ditë. Kur kujtoj lotët e tu, kam shumë dëshirë të të shoh, që të mbushem me gëzim. Më kujtohet besimi yt i sinqertë, që përpara teje e kishte Loida, gjyshja jote, dhe Eunika, nëna jote. Jam i bindur se këtë besim e ke edhe ti. Për këtë arsye po të kujtoj ta mbash gjallë dhuntinë që Perëndia të dha përmes vënies së duarve të mia. Perëndia nuk na dha shpirtin e frikës, por të fuqisë, të dashurisë e të maturisë. Prandaj mos ki turp as nga dëshmia për Zotin tonë, as nga unë, i burgosuri i tij, por vuaj bashkë me mua për ungjillin, i mbështetur në fuqinë e Perëndisë. Perëndia na shpëtoi e na thirri me një thirrje të shenjtë, jo sipas veprave tona, por sipas qëllimit të tij e hirit që na u dha përmes Krishtit Jezu përpara fillimit të kohëve. Ky hir u bë i dukshëm tani përmes ardhjes së shpëtimtarit tonë, Krishtit Jezu, i cili e shfuqizoi vdekjen dhe nxori në dritë jetën e pavdekësinë përmes ungjillit. Për këtë ungjill unë u caktova predikues, apostull e mësues. Për këtë arsye po vuaj gjithë këto gjëra. Por nuk kam turp, se e di kujt i kam besuar e jam i bindur se ai është i aftë ta ruajë thesarin që më ka besuar, deri në atë ditë. Ndiqe shembullin e mësimit të drejtë, që dëgjove prej meje, me besimin e me dashurinë që vijnë përmes Krishtit Jezu. Ruaje thesarin e mirë me ndihmën e Shpirtit të shenjtë që banon në ne. Ti e di se të gjithë ata që janë në Azi më braktisën, ndër ta edhe Figeli e Hermogjeni. Zoti tregoftë mëshirë për shtëpinë e Onesiforit, se më ngushëlloi shpesh e nuk pati turp nga prangat e mia. Madje, kur erdhi në Romë, më kërkoi me ngulm e më gjeti. Dhëntë Zoti që ai të gjejë mëshirë prej Zotit atë ditë. Ti e di shumë mirë sesa më shërbeu ai në Efes.

2 Timoteut 1:1-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pali, apostulli i Jezu Krishtit nëpërmjet vullnetit të Perëndisë, sipas premtimit të jetës që është në Krishtin Jezus, Timoteut, birit të dashur: hir, mëshirë dhe paqe prej Perëndisë Atit, dhe prej Krishtit Jezus, Zotit tonë. E falënderoj Perëndinë, të cilit i shërbej sikurse edhe të parët e mi me ndërgjegje të pastër, se pa pushim të kujtoj në lutjet e mia, ditë e natë; dhe, kur kujtoj lotët e tu, kam shumë mall të të shoh që të mbushem me gëzim, sepse kujtoj besimin e sinqertë që është në ty, i cili më parë ishte te gjyshja jote Loide dhe te nëna jote Eunike, dhe jam i bindur se është edhe te ti. Për këtë arsye po të kujtoj ta zgjosh dhuntinë e Perëndisë që është në ty me anë të vënies së duarve të mia. Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie. Mos ki turp, pra, të dëshmosh Zotin tonë, as mua, të burgosurin e tij, por hiq keq bashkë me mua për ungjillin, sipas fuqisë së Perëndisë, që na shpëtoi dhe na thirri me një thirrje të shenjtë, jo sipas veprave tona, por sipas qëllimit të tij dhe sipas hirit, që na u dha në Krishtin Jezus përpara fillimit të kohëve dhe tani u shfaq me anë të dukjes së Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit, që e prishi vdekjen dhe nxori në dritë jetën dhe pavdekësinë me anë të ungjillit, për të cilin unë u caktova predikues, apostull dhe mësues i johebrenjve. Për këtë arsye unë po vuaj edhe nga këto gjëra, po nuk kam turp, sepse e di kujt i kam besuar dhe jam i bindur se ai është i zoti ta ruajë visarin tim deri në atë ditë. Ruaje modelin e fjalëve të shëndosha që dëgjove prej meje me besim dhe dashuri, që janë në Krishtin Jezus. Ruaje visarin e mirë me anë të Frymës së Shenjtë që rri te ne. Ti e di se të gjithë ata që janë në Azi më kthyen krahët, dhe midis tyre Figeli dhe Hermogeni. Zoti i dhëntë mëshirë familjes së Onesiforit, sepse shpeshherë më dha zemër dhe nuk pati turp nga prangat e mia; madje, kur erdhi në Romë, më kërkoi me shumë zell dhe më gjeti. Zoti i dhëntë të gjejë mëshirë nga ana e Zotit në atë ditë. Ti e di më mirë se askush sa shërbime më bëri në Efes.