Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Samuelit 6:13-22

2 Samuelit 6:13-22 AL1

Pasi ata që mbartnin arkën e ZOTIT bënë gjashtë hapa, Davidi flijoi një ka dhe një viç të majmë. Davidi vallëzonte me gjithë shpirt para ZOTIT. Ai kishte veshur një efod të linjtë. Davidi e mbarë shtëpia e Izraelit e sollën arkën e ZOTIT me brohoritje dhe me tingujt e bririt. Kur arka e ZOTIT mbërriti në Qytetin e Davidit, Mikala, bija e Saulit, që po përgjonte nga dritarja, pa mbretin David duke kërcyer e vallëzuar para ZOTIT dhe e përçmoi në zemrën e vet. Arkën e ZOTIT e sollën dhe e vendosën në vendin e vet, në mes të tendës që kishte ngulur për të Davidi. Pastaj Davidi kushtoi fli shkrumbimi e paqtimi para ZOTIT. Kur Davidi e kreu kushtimin e flisë së shkrumbimit dhe të paqtimit, e bekoi popullin në emër të ZOTIT të ushtrive dhe i shpërndau gjithë popullit, të gjithë turmave të Izraelit, burra e gra, nga një copë bukë, nga një kulaç hurmash dhe nga një kulaç rrushi të thatë. Pastaj i gjithë populli u kthye në shtëpinë e vet. Kur Davidi u kthye për të bekuar shtëpinë e vet, Mikala, bija e Saulit, i doli para e i tha: «Çfarë nderi ishte ky sot për mbretin e Izraelit që u zhvesh para syve të shërbëtoreve dhe shërbëtorëve të tij, si të ishte një njeri i rëndomtë?». Davidi i tha Mikalës: «E bëra para ZOTIT që më zgjodhi në vend të atit tënd dhe shtëpisë tënde për të më vënë prijës mbi popullin e ZOTIT, Izraelin. Po, para ZOTIT do të lodroj! Do ta përçmoj dhe poshtëroj veten edhe më shumë, por shërbëtoret, për të cilat fole, do të më nderojnë».